Në pikën kufitare të Kakavijës, vazhdon qarkullimi i lartë i emigrantëve, që po përfitojnë nga periudha tipike e pushimeve, për disa profesione në Greqi, për të vizituar familjet.
Gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar 9787 shtetas, nga të cilët 3777 në hyrje dhe 6010 në dalje, ndërsa hyrje–dalje automjetesh janë 3150 gjithsej, ku 1198 janë në hyrje dhe 1952 janë në dalje nga Shqipëria.
Aktualisht po punohet me 4 sportele, 2 në dalje dhe 2 në hyrje. Edhe pala greke në Kakavijë po punon me staf maksimal dhe ka në dispozicion të përpunimit të dokumentacionit 3 sportele. Deri tani koha e pritjes në radhë ka shkuar mesatarisht në 40 minuta ndërsa në raport me vitin e kaluar fluksi i mbërritjeve për verën është mjaft më i ulët.
Për të shmangur pritjen sidomos në temperatura të larta autoritetet kanë kërkuar evitimin e dyndjes së njëkohshme drejt kufirit, përdorimin edhe të orareve të pasfites dhe mbrëmjes si dhe qarkullimin edhe përmes pikave të tjera kufitare me Greqinë.
Top Channel