Iran kërkon që çështjet dypalëshe me Bashkimin Europian të zgjidhen përmes dialogut.
Ministri i ri i Republikës Islamike, Abbas Araghchi, zhvilloi një bisedë telefonike me kryediplomatin e bllokut, Joseph Borell, gjatë të cilës theksoi se .“Republika Islamike e Iranit mirëpret zhvillimin e raporteve me BE-në në një mjedis të bazuar tek respekti i ndërsjellë”.
Qasja ndryshe e kryediplomatit Iranian vjen në një kohë përshkallëzimi të tensioneve mes Teheranit dhe bllokut europian, i cili e akuzon se nuk e ka frenuar sic pretendohet aktivitetin e tij bërthamor, se i ofron mbështetje Hamasit dhe mbështet luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Shqetësim tjetër për Brukselin është edhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut në regjimin e ajatollahëve.
Araghchi i mëshoi idesë së zhvillimi i raporteve “kërkon dialog për zgjidhjen e çështjeve mes dy palëve dhe përmirësimin e politikave të gabuara të shteteve evropiane”. Borrell sqaroi nga ana e tij përmes një postimi në platformën X, se diskutimi me homologun iranian lidhej me “mundësitë e ripërtëritjes së angazhimit në fusha të interesit të përbashkët”.
“Ne folëm për “nevojën e uljes së tensioneve” dhe “ndaljes së bashkëpunimit ushtarak” me Rusinë dhe për frenimin e aktiviteteve bërthamore”, tha Borrell, që tregoi se pajtoi me idenë se dialogu është “thelbësor dhe i nevojshëm për uljen e tensioneve rajonale”. Araghchi, që mori detyrën e kryediplomatit më herët gjatë javës, njihet për afërsinë e tij me Perëndimin.
Top Channel