Mediat perëndimore shfaqnin sot refugjatë ukrainas në Hungari që mblidhnin sendet e tyre personale pas një dekreti qeveritar që redukton mbështetjen e Budapestit për refugjatët nga ato zona të Ukrainës që konsiderohen se nuk janë në luftë me Rusinë.
Një nga grupet e prekura është ai i rreth 100 refugjatëve nga krahina Transkarpateve, të vendosur në Kocs ne veri të Budapestit, shkruan rrjeti AFP.
Kryeministri hungarez Viktor Orban nënshkroi dekretin në qershor për kufizimin e mbështetjes së Budapestit për 13 rajone, rreth gjysma e territorit të Ukrainës, pasi nuk janë të prekur nga pushtimi rus.
Komisioneri qeveritar Norbert Pal quante ndryshimin “të arsyeshëm e në masën e duhur” pas dy vjet e gjysmë luftë, ndërsa tha për rrjetin qeveritar Magyar Nemzet se “ata që donin të rinisnin jetën e tyre në Hungari, e kanë bërë këtë.”
Refugjatët shihej të largoheshin sot nga një hostel nën mbikëqyrjen e policisë, mes të cilëve ishin shumica gra e fëmijë të komunitetit rom, sipas rrjetit AFP.
“Jemi në situatë të vështirë pasi nuk kemi ku të shkojmë,” tha Marina Amit, nënë e tre fëmijëve e ardhur vitin e kaluar nga Ukraina.
“Unë nuk dua të shkoj në Ukrainë sepse kam një djalë 17 vjeçar dhe ma marrin për të luftuar në front”, shtoi gruaja e shqetësuar.
Hungaria mban një numër relativisht më të vogël refugjatësh ukrainas në krahasim me vende të tjera të BE me rreth 46,000, sipas agjencisë UNHCR.
Refugjatja 34 vjeçare Olga Berki, tha për rrjetin AFP:
“Gjatë gjithë kësaj kohe stuhitë më kanë prishur shtëpinë. Aty kanë mbetur vetëm muret. Ndërsa këtu nuk më lejojnë të qëndroj me bijën time. Ime bijë nuk është e detyruar të largohet por meqënëse nuk jeton dot vetëm, duhet të mbledhë plaçkat e të vijë me ne”.
56 vjeçari ukrainas Rudolf, shtoi:
“Ku të shkoj? Nëse kthehem ata na kapin dhe më dërgojnë të luftoj në front, aty do të më vrasin dhe familja do të mbetet këtu vetëm. Kështu është në Ukrainë, askush nuk del jashtë sepse vjen policia ushtarake të merr me forcë për të shkuar në luftë me Rusinë”./AFP/
Top Channel