Një vullkan në Islandën jugperëndimore ka shpërthyer për herë të gjashtë që nga dhjetori, duke nxjerrë lavë përmes një çarjeje të re në gadishullin Reykjanes.
Nga videot e publikuara shihet një llavë portokalli që shpërtheu nga një çarje e gjatë, duke ndriçuar tymin që ngrihej në qiellin e natës.
Zyra meteorologjike islandeze IMO fillimisht vlerësoi gjatësinë e çarjes në 1.4 km, ku më vonë deklaroi se ajo ishte shtrirë në 3.9 km në 40 minuta.
IMO tha se kishte ende “aktivitet të konsiderueshëm sizmik” në skajin verior të çarjes më shumë se një orë pas fillimit të shpërthimit.
Një tërmet me magnitudë 4.0 u regjistrua në orën 22:37. Aeroporti kombëtar i Islandës dhe ofruesi i shërbimit të navigimit ajror Isavia tha se fluturimet po funksiononin normalisht pavarësisht shpërthimit të vazhdueshëm.
Shpërthimi më i fundit në gadishullin Reykjanes, shtëpia e 30,000 njerëzve ose gati 8% e popullsisë totale të vendit, përfundoi më 22 qershor.
Shpërthimet tregojnë sfidën me të cilën përballet vendi ishullor me rreth 400,000 banorë, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se gadishulli Reykjanes mund të përballet me ngjarje të përsëritura për dekada apo edhe shekuj. Që nga viti 2021 ka pasur nëntë shpërthime në gadishull, pas riaktivizimit të sistemeve gjeologjike që kishin qenë të fjetur për 800 vjet. Si përgjigje, autoritetet kanë ndërtuar barriera për të ridrejtuar rrjedhat e lavës larg infrastrukturës kritike, duke përfshirë termocentralin Svartsengi, banjën e jashtme të Lagunës Blu dhe fshatin e peshkimit Grindavik.
Top Channel