Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.
Osmani pohoi në një intervistë për Radion Europa e Lirë se “zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.
Eksperti i njohur i zhvillimeve në Ballkan, profesori në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, Daniel Serwer, e mbështet qasjen e saj. “Osmani ka plotësisht të drejtë kur dëshiron të ndryshojë theksin, nga zbatimi i një marrëveshjeje që nuk ekziston në diskutimet me miqtë e Kosovës se çfarë duhet të bëjë Kosova për të arritur aty ku synon”, u shpreh ai.
Pavarësisht nivelit të lartë të pajtueshmërisë që Kosova dhe Serbia kanë arritur për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve në muajt e parë të 2023-tës, drejt zbatimit të saj nuk janë hedhur hapa konkretë, dhe situata nuk ka shenja përmirësimi as në muajt në vazhdim, derisa të jenë plotësisht funksionale udhëheqja e re e Bashkimit Evropian dhe administratës e re amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.
Top Channel