Kryeministri i Kamboxhias drejtonte sot celebrimet për kthimin e dhjetra veprave të çmuara shekullore nga muzeume dhe koleksionistë privatë nga vende të ndryshme të botës.
Hun Manet, i cili mori postin vitin që shkoi nga babai i tij Hun Sen që kishte drejtuar për disa dekada, tha se 70 veprat e kthyera, simbolikisht e bashkojnë popullin e Kamboxhias me shpirtrat e të parëve. Ai shtoi se veprat do të shfaqen në Pallatin e Paqes, që është selia e qeverisë së vendit.
Veprat e lashta të trashëgimisë së vendit ishin grabitur gjatë kohës së luftës civile kur vendi ishte në dorë regjimit komunist Khmer Rouge në vitet 1970-të.
Vitet e fundit Kamboxia ka përfituar nga një tendencë për kthimin e veprave të grabitura që përfundojnë në dorë të spekulanteve ose koleksionistëve të pasur në Perëndim, dhe të tjera të vjedhura gjatë trazirave ose luftërave në Siri, Irak ose Evropë, shkruan rrjeti britanik The Independent.
“Një total prej 70 objektesh kulturore Khmer janë kthyer në vend me anë të disa proceseve siç janë ato vullnetare, të negocjatave, të sekuestrimeve apo procedurave ligjore, nga koleksione të ndryshme si ai i familjes Lindemann, Jim Clark, Muzeumi Metropolitan në New York, dhe koleksionistë të tjerë privatë në SHBA,” thuhej në deklaratën e ministrisë vendase të kulturës.
Deklarata shtonte se veprat përfshijnë objekte të rëndësishme të kulturave Hindu e Budiste, dhe kryevepra të shekujve të 9-të deri të 14-të të epokës Angkor dhe më të hershme.
“Të paçmueshme janë statujat e gurta të luftëtarëve mitikë Hindu e Mahabharata, statujat Shiva e Parvati, dhe statuja e Ardhanarishvara nga kryeqyteti i lashtë Koh Ker.”
Hun Manet tha se nga viti 1996 deri muajin e kaluar, 1,098 vepra të lashta arti janë kthyer në Kamboxhia, 571 prej të cilave nga koleksione private dhe 527 nga institucione e qeveritë huaja.
70 objektet e fundit përfshinin 14 nga Muzeumi Metropolitan në New York, që u kthyen në fund të korrikut.
Veprat nga munzeumi në New York ishin blerë e trafikuar nga koleksionisti Douglas Latchford, i dënuar në 2019 për skemën shumëvjeçare të trafikut ilegal me antikitetet kamboxhiane. Latchford, i cili vdiq një vit më pas, mohonte përfshirjen në kontrabandën e artit.
Një deklaratë e ambasadës së SHBA në Kamboxhia tha se “kemi ndihmuar në kthimin e mbi 150 antikiteteve, si zoti-elefant Hindu Ganesh i shekullit të 10-të, dhe të statujës ‘Skanda mbi gjel,’ të cilat shfaqen tashmë në muzeumin kamboxhian Phnom Penh.”
Marrëdhëniet e vendit me SHBA mbeten të tensionuara prej kritikave të Uashingtonit për shtypjen politike të regjimit komunist në Kamboxhia, shkruan The Independent.
Top Channel