Një britaniko-meksikan i dënuar për vepra droge në Katar, pasi u lirua deklaroi për BBC se nuk e kishte menduar se do kthehej në shtëpi.
Manuel Guerrero Aviña tregon se ishte shënjestruar për shkak se ishte homoseksual dhe rrëzon poshtë akuzat se është marrë më drogë. Ai u arrestua në momentin që shkoi të takonte një burrë që e kishte njohur në një program takimesh. Pasi shkëmbyen mesazhe me njëri-tjetrin, ata vendosën të takoheshin në një hotel dhe kur mbërriti në holl, ai u rrethua nga policia. Rezultoi që personi që fliste me mesazhe ishte një oficer policie që i kishte ngritur kurth.
Pavarësisht se autoritetet e Katarit këmbëngulin se ai u dënua me 6 muaj burg dhe u detyrua të paguante një gjobë, pasi iu gjet drogë e mbjellë në shtëpi, Manueli shprehet se ai nuk u pyet kurrë për akuzat e drogës, por vetëm për seksualitetin e tij.
“Gjatë gjithë marrjes në pyetje, gjithçka që më pyetën ishte për partnerët e mi seksual, orientimin tim seksual, nëse kam bërë seks, me kë kam bërë seks dhe gjëra të tilla. Ata nuk më pyetën aspak për mbjelljen e drogës”, tha Manuel. Madje ai dyshon se vetë oficerët e policisë kanë mbjellë drogë në oborrin e shtëpisë së tij, si arsye për ta arrestuar.
Manueli ka treguar edhe torturat çnjerëzore që ka përjetuar në burg, ku shprehet se ishte aq i frikësuar dhe traumatizuar se mendonte që nuk do kthehej kurrë në shtëpi. Ai tregon se të burgosurit fshikulloheshin, ai u torturua për të zhbllokuar telefonin e tij dhe të rrëfente se me cilët njerëz fliste apo takonte, por nuk pranoi kurrë të zbulonte identitetin e personave të tjerë që i përkasin LGBT-së.
Homoseksualiteti është kriminalizuar në Katar dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për trajtimin e personave LGBT në vend.
Top Channel