“Mollë sherri” një femër! Efektivi në arrati pasi “zbrazi” armën e shërbimit ndaj 45-vjeçarit! Policia ofron 10 mijë euro për këdo që jep informacion

20/08/2024 09:13

Një ngjarje tronditëse ndodhi ditën e djeshme në orën në Komunën e Parisit, ku efektivi i policisë, Erjon Goxhara qëlloi me armë në bark dhe gjymtyrët e poshtme 45-vjeçarin, Lorenc Kosta.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pasi Kosta kishte ngacmuar partneren e Goxharës dhe ky i fundit e qëlloi me gjashtë plumba 45-vjeçarin në këmbë, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Bëhet me dije se Kosta ka punuar më parë te KESH, ndërsa aktualisht punon tek Enti Rregullator i Energjisë.

Menjëherë pas ngjarjes Erjon Goxhara është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i’u shmangur ndjekjes policore.

Efektivi Goxhara 46 vjeç, ndodhet ende në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ofruar si shpërblim 10.000 euro si dhe numrin e kontaktit celular 0694111546, duke siguruar anonimatin e plotë, për cilindo që jep informacione të sakta për vendodhejn e efektivit në kërkim.

Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 (gjashtë) gëzhoja kalibër 9 mm, 1 (një) predhë me ngjyrë bronxi e deformuar, një këmishë predhe me ngjyrë bronxi, 3 rripa pantallonash të ndotur me ngjyrë të kuqe si ajo e gjakut, etj.

Gjithashtu janë sekuestruar dhe këqyrur pamjet filmike, të administruar nga disa subjekte private në vendin e ngjarjes, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat të hetimit, disa shtetas, dëshmitar okularë, dhe familjarë të autorit të dyshuar, të cilët kanë dhënë shpjegime mbi konfliktin mes të dëmtuarit dhe të dyshuarit, janë këqyrur të dhënat/komunikimet elektronike etj.

Ndërkohë po punohet për lokalizimin dhe kapjen e efektivit, kryesisht në periferi të Tiranës ku dyshohet se ai është larguar pas ngjarjes.

Ditën e djeshme Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj bëri me dije në një deklaratë për mediat se kishte komunikuar me të dhe se ai ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.

Sipas Vocajt, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa i bëri thirrje efektivit që të dorëzohej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA