Izraeli gjen trupat e 6 pengjeve ndërsa Sekretari Blinken përpiqet të çojë përpara bisedimet e armëpushimit

20/08/2024 22:29

Ushtria izraelite tha të martën se gjeti trupat e gjashtë pengjeve të rrëmbyera në sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, që shkaktoi fillimin e luftës në Rripin e Gazës.

Gjetja e trupave të pengjeve ndodh në një kohë kur ndërmjetësit amerikanë dhe arabë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për të ndalur luftimet, pjesë e së cilës është edhe lirimi i pengjeve, që ende mbahen nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj i gjetën trupat e pengjeve në një operacion gjatë natës në jug të Gazës, pa thënë se kur dhe se si vdiqën. Një forum për familjet e pengjeve tha se ata ishin rrëmbyer të gjallë. Hamasi thotë se disa pengje janë vrarë dhe plagosur gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Në një sulm ajror izraelit në një shkollë në qytetin e Gazës të martën u vranë të paktën 10 njerëz. Ushtria izraelite tha se shkolla po përdorej si një qendër komanduese nga militantët e Hamasit. Në një tjetër sulm në Gazën qëndrore u vranë një nënë dhe pesë fëmijët e saj.

Marrja e trupave është një goditje për Hamasin, udhëheqësit e të cilit shpresojnë të shkëmbejnë pengjet për të burgosurit palestinezë, tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe një armëpushim afatgjatë. Por kjo ka të ngjarë të rrisë trysnin mbi qeverinë izraelite për të arritur një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve që besohet se janë ende gjallë.

Ushtria izraelite tha se i kishte identifikuar trupat e gjashtë pengjeve, duke publikuar emrat dhe moshën e tyre. Chaim Perry 80 vjeç, Yoram Metzger 80 vjeç, Avraham Munder 79 vjeç, Alexander Dancyg 76 vjeç, Nadav Popplewell, 51 vjeç dhe Yagev Buchshtav 35 vjeç dyshohet se kanë vdekur ndërsa po mbaheshin peng nga Hamasi. Metzger, Munder, Popplewell dhe Buchshtav kishin anëtarë të familjes të cilët gjithashtu ishin rrëmbyer më 7 tetor nga Hamasi, por u liruan në kuadër të një marrëveshjeje armëpushimi në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e përshëndeti operacionin e ushtrisë izraelite për rikuperimin e trupave të pengjeve dhe tha se “zemrat tona dhembin për humbjen e tmerrshme”.

“Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të kthyer të gjitha pengjet, të gjallë dhe të vdekur”, tha ai përmes një deklarate.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant vlerësoi gjithashtu operacionin, i cili tha se ishte kryer brenda rrjetit të gjerë të tuneleve të Hamasit. Nuk ka patur njoftime të menjëhershme për viktima mes forcave izraelite apo militantëve palestinezë në operacionin e rikuperimit të trupave të pengjeve.

Hamasi ende besohet se mban rreth 110 pengje, që i ka rrëmbyer në sulmin e 7 tetorit në Izrael. Autoritetet izraelite vlerësojnë se rreth një e treta e tyre janë të vdekur. Në sulmin e 7 tetorit në Izrael nga militantët e Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, u vranë 1,200 njerëz.

Sekretari Blinken me Presidentin e Egjiptit el-Sissi në Kajro - 20 gusht 2024.
Sekretari Blinken me Presidentin e Egjiptit el-Sissi në Kajro – 20 gusht 2024.

Sekretari Blinken, i cili ndodhet në vizitën e tij të nëntë në rajon që nga fillimi i luftës, tha të hënën se kryeministri Netanyahu ka pranuar një propozim për tejkalimin e pengesave të fundit në bisedimet për arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës, të cilat janë zvarritur për muaj të tërë, dhe i bëri thirrje Hamasit ta bëjë të njëjtën gjë.

Ndërmjetësuesit po bëjnë përpjekje intensive për të përfunduar një propozim për një marrëveshje me tre faza, sipas të cilit Hamasi do të lironte të gjitha pengjet në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë, Izraeli do të tërhiqte trupat nga Rripi i Gazës dhe palët do të binin dakord për një armëpushim afatgjatë.

Sekretari Blinken udhëtoi për në Egjipt të martën dhe ai pritet të zhvillojë bisedime edhe në Katar. Dy vendet arabe kanë luajtur rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e bisedimeve me Hamasin.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi po bëhen ndërkohë që numri i të vrarëve në Gazë që nga fillimi i luftës ka arritur në 40,000, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve të vrarë.

Izraeli thotë se ka vrarë 17,000 militantë të Hamasit, por nuk ka ofruar prova për ta mbështetur këtë pretendim./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA