Është arrestuar në Dubai Elson Reçi, nipi i Kastriot Reçit, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Ai është arrestuar me qëllim ekstradim drejt vendit tonë sipas urdhrit ndërkombëtar të lëshuar nga policia shqiptare.
Elson Reçi dyshohet se ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi.
Policia e Shtetit
Bashkëpunimi i shkëlqyer me autoritetet e Emirateve të Bashkuara, çoi në arrestimin me qëllim ekstradimi të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bashkëpunimi shumë i mirë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe ka mundësuar arrestimin e një shtetasi tjetër të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Falë punës profesionale të Interpol Tirana dhe bashkëpunimit me Interpol Abu Dhabi u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. R. me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
E. R. ishte person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 15.05.2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimi, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se E. R. ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për vënien para drejtësisë të të gjithë personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Top Channel