Blinken i prerë: Bisedimet, shansi i fundit për armëpushim në Gaza

19/08/2024 15:31

Nga Izraeli, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, përcolli mesazhin e prerë se negociatat që po zhvillohen për armëpushim në Gazë, mund të jenë shansi i fundit” për të arritur marrëveshjen që do t`i jepte fund konfliktit.

“Ky është një moment vendimtar – mbase më i miri dhe ndoshta mundësia e fundit për t’i kthyer pengjet në shtëpi, për të arritur armëpushim, e për t’u nisur në rrugë të duhur për paqe të qëndrueshme dhe siguri”, u shpreh kryediplomati amerikan pas takimit me presidentin izraelit, Isaac Herzog, teksa sqaroi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e nisi drejt shtetit hebre me qëllim arritjen e kësaj ujdie.

“Është koha që të përfundohet kjo punë. Po ashtu, është koha që të sigurohemi që askush të mos ndërmarrë hapa që mund të dëmtojnë procesin. Ne po punojmë që të sigurohen garanci se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës, as provokime e as veprime që mund të largojnë nga arritja e kësaj marrëveshjeje”, tha Blinken.

Kjo është vizita e nëntë e Blinkenit në Lindje të Mesme prej sulmit të Hamasit në 7 tetor në Izrael, që nxiti reagimin e përgjakshëm të këtij të fundit. Paralajmërimet e Blinkenit për shmangien e veprimeve që mund të nxisin tensionet duket janë një mesazh edhe për Iranin e grupin e armatosur libanez, Hezbollah, që janë zotuar për hakmarrje pas vrasjes së dy liderëve militantë.

Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei dhe Garda Revolucionare e Iranit synojnë sulm ndaj Izraelit, por duket që debatet e brendshme për rreziqet që bart një goditje e tillë, kanë kontribuuar në shtyrjen e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA