Ndarja nga jeta e aktorit të njohur francez, Alain Delon, ka bërë që Brigitte Bardot të jetë aktorja e vetme që është ende gjallë e të ashtuquajturit “Arti i 7-të Francez”.
Me anë të një letre, ajo kujtoi ish-kolegun e saj, që gjithashtu ishte dhe një nga miqtë e saj më të mirë.
“Vdekja e Alain Delon krijon një boshllëk të madh që asgjë dhe askush nuk do të jetë në gjendje ta mbushë”, shkroi Brigitte Bardot.
“Vdekja e Alain i jep fund kapitullit të mrekullueshëm të një epoke të shkuar, në të cilën ai ishte një monument sovran. Ai përfaqësoi më të mirën e kinemasë prestigjioze të Francës. Një ambasador i elegancës, talentit, bukurisë ”, vijon aktorja që tashmë mbetet legjenda e fundit e gjallë e artit të 7-të francez.
Bardot e mbyll letrën e saj me këtë fjali: “Unë humbas një mik, një alter ego, një bashkëpunëtor, ne ndamë të njëjtat vlera, të njëjtat zhgënjime, të njëjtën dashuri për kafshët dhe mendoj një fjali nga Alfred de Vigny në ‘Vdekja e Ujkut’: ‘Të shohësh çfarë ishim në tokë dhe çfarë lëmë pas. Vetëm heshtja është e madhe, çdo gjë tjetër është dobësi’”.
Top Channel