Basha-Berisha, paratë në gjyq! Ish kryetari i PD-së kthen Range Rover-in, arka e partisë ende e bllokuar

18/08/2024 19:38

Kjo është pamja që të ofron këtë mes gushti selia e Partisë Demokratike, e cila po bëhet gati të hyjë në vitin e 12-të të saj në opozitë.

Një baner me mbishkrimin “lironi liderin e opozitës”, iu kujton demokratëve se duhet të janë në aksion dhe jo me pushime, por realiteti flet për të kundërtën.

Në oborrin bosh të selisë, lajmin e vetëm duket se e prodhon një automjet Range Rover i parkuar, të cilën Lulzim Basha e përdorte në kohën kur drejtonte Partinë Demokratike.

Humbja e logos dhe vulës zyrtare me vendim të formës së prerë të Apelit po shoqërohet me kosto financiare për ish-kryetarin demokrat, i cili duhet t’i dorëzojë Sali Berishës jo vetëm simbolet, por edhe asetet e tjera të blera me paratë e partisë.

Automjeti nuk është aseti i vetëm që duhet tek shkojë tek i Zoti. Lulzim Basha nuk ka të drejtë të “fusë” më duart as në arkën e partisë, për shkak se tashmë financat e PD-së janë në proces transferimi tek organi drejtues i Partisë Demokratike që në gjykatë rezulton të jetë Komisioni i Rithemelimit, i cili nuk ka çuar ende financierët për të marrë në dorëzim administrimin e parave pasi po ndjek të gjithë procedurat ligjore për këtë proces.

Jo shumë larg selisë qendrore, një tjetër godinë mban të shkruar mbishkrimin: “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Zyrat ku Lulzim Basha ushtron aktivitetin e tij politik, prej qershorit qeraja e tyre nuk paguhet më me paratë e partisë që kontrollohen nga Sali Berisha.

Ish-kryetarit demokrat i është kërkuar të kthejë bashkë me arkën e partisë dhe simbolet, por Lulzim Basha ka vendosur të mos heqë dorë edhe për pak kohë nga ëndrra e tij për të rimarrë sërish kontrollin e partisë, duke i mbajtur shpresat tek rekursi i bërë në gjykatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA