Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një dasme në Ferizaj, ku një punonjës policie hapi zjarr ndaj një 89-vjeçari duke e lënë te vdekur ne vend.
Ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, mediat në Kosovë shkruajnë se Festim Ramadani është hakmarrë për motrat e tij, të cilat dyshohet se janë dhunuar nga bashkëshorti i tezes së tyre, Sadri Sadriu, kur ishin të mitura.
Sipas raportimeve të mediave, gjatë kohës së luftës në Kosovë, Sadri Sadriu, i afërm i bashkëshortit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, i kishte hapur derën familjes Ramadani për t’i strehuar në shtëpinë e tezes së tyre dhe gjatë kësaj periudhe i ka dhunuar vajzat.
Megjithatë, këto pretendime mbeten ende të pakonfirmuara, ndërkohë që prokuroria dhe policia po kryejnë hetime të thelluara për të zbardhur të vërtetën.
Mbrëmjen e djeshme efektivi Festim Ramadani ishte jashtë orarit te shërbimit kur ka shkuar në një lokal në Ferizaj ku po zhvillohej një dasmë.
Ai nuk ishte i ftuar në ceremoni, por takoi jashtë ambienteve të lokalit 89-vjecarin Sadri Sadriu dhe hapi zjarr ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.
Pas kësaj, efektivi i policisë së kosovës ka shkuar vetë në komisariat ku ka dorëzuar edhe armën e krimit. Ai tashmë është nën arrest dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Top Channel