Mallkimi i humbjes së zgjedhjeve të pjesshme vijon të përndjekë demokratët, por për analistët politikë kjo nuk është arsyeja e disfatës së thellë që opozita mori në Himarë më 4 gusht.
Problemin Ergys Mërtiri e sheh tek kandidati Petro Gjikuria që Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë me Vangjel Dule i ofruan himarjotëve.
“Në momentin qe ti vendos të kandidosh njerëz që janë me element të qartë antishqiptarë, kanë marrë pjesë në organizata antishqiptare, të cilët pozojnë me flamuj të Vorio-Epirit, çfarë është e dënueshme me Kushtetutë sepse ti po ushtron një veprimtari që kërkon cenimin e territoreve të vendit, është marrëzi dhe çmenduri e papranueshme”, shprehet Mërtiri.
Zgjedhjet e pjesshme e rikthyen Bashkinë e Himarës te Partia Socialiste. 15 muaj nga vendoret e fundit, mazhoranca arriti të rikuperonte terren përballë opozitës, madje duke korrur një fitore të thellë. Po, kush ia dha fitoren Vangjel Tavos?
Mërtiri shton: “Opozita ka rënë deri në këtë derexhe sa nuk e meriton të fitojë, pastaj pse humbi është se mesazhet që u ka përcjellë shoqërisë janë mesazhet e një organizate, e cila nuk ka për qëllim të fitoje por ka për qëllim të mbijetojë lideri i cili është i dënuar në izolim, dhe i izoluar ndërkombëtarisht, më një këmbë në burg le te themi”.
Megjithëse është i dënuar të mos zbresë në tokë, Sali Berisha do të udhëheqë nga banesa e tij, Partinë Demokratike drejt zgjedhjeve të pranverës duke mos e fshehur as ambicien për të qenë ai kandidati për kryeministër i opozitës.
“Sali Berisha nuk ka shanse të vijë në pushtet as në kushte normale sepse 13 vite më parë humbi në mënyrë spektakolare me 1 milion vota kundër pra humbi duke qenë në pushtet, pavarësisht që unë mendoj qe Rama është lehtësisht i rrëzueshëm. Se një qeveri me kaq skandale dhe kaq probleme sa është kjo çdo opozitë do e kishte ëndërr ta kishte përballë”, përfundon Mërtiri.
Partia Demokratike ka vendosur të mos njohë humbjen në Himarë edhe pse Partia Socialiste e mundi me 1477 vota diferencë. Shpresat e demokrateve për të ripërsëritur procesin është KAS, i cili ka caktuar 21 Gushtin për shqyrtimin e ankimimit për pavlefshmëri zgjedhore në Himarë.
Top Channel