Prej 12 ditësh vijon të mbetet aktiv zjarri në Malin e Thatë dhe Parkun Kombëtar të Prespës.
Ndërhyrja nga ajri gjatë dy ditëve të fundit ka përmirësuar situatën, por vatrat rrezikojnë të aktivizohen për shkak të temperaturave të larta, erës dhe llojit të bimësisë dhe drurëve.
Më problematike gjendja është në vendin e quajtur Pllaja e Pusit, ku terreni i thyer vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren sot janë 25 forca të ushtrisë por edhe shërbimit zjarrfikës të bashkisë dhe Zonave të Mbrojtura.
Ndërhyrja nga ajri me avionët e ardhur nga Rumania pritet të vazhdojë edhe përgjatë ditës së sotme, por për momentin avionët po punojnë në Malin e Tomorrit, ku u riaktivizuan sërish flakët.
Në Parkun e Prespës vatrat janë të vogla, por mbeten shqetësim vatrat e zjarrit përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut, të cilat janë përhapur edhe në Parkun e Galiçicës dhe rrezikojnë si zonat pyjore të Pogradecit ashtu edhe të bashkisë së Pustecit.
Top Channel