NATO dhe Perëndimi janë përfshirë direkt në planifikimin e sulmit ukrainas ndaj rajonit rus të Kurskut, deklaroi një këshilltar i Kremlinit.
Në një koment për gazetën Izvestia, Nikolai Patrushev u shppreh se deklaratat e Shteteve të Bashkuara se nuk janë përfshirë në asnjë lloj forme në ofensivën e Kievit që befasoi Moskën, sipas tij, thjesht nuk janë të vërteta.
“Operacioni në rajonin e Kurskut është planifikuar gjithashtu me pjesëmarrjen e NATO-s dhe shërbimeve speciale perëndimore. Deklaratat e udhëheqjes së SHBA-së se ajo nuk ishte e përfshirë në krimet e Kievit në rajonin e Kurskut nuk janë të vërteta… Pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre të drejtpërdrejtë, Kievi nuk do të kishte hyrë kurrë në territorin rus”, ishte komenti i tij.
Në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë pohoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur asnjë informacion paraprak nga Ukraina për operacionin dhe nuk kanë gisht në të. Ndërkohë, më herët zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në SHBA John Kirby njoftoi se Rusia ka nisur tërheqjen e një pjese të trupave, duke përfshirë njësi të këmbësorisë, nga Ukraina dhe po i zhvendoste ato në Kursk, por se Shtetet e Bashkuara nuk e dinin saktësisht se sa ushtarë rusë kanë lëvizur nga Ukraina lindore.
Megjithatë, një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk duket se Rusia ka lëvizur një numër të mjaftueshëm batalionesh të blinduara ose lloje të tjera të fuqisë luftarake nga vija e frontit në Ukrainë në drejtim të Kurskit dhe se Moskës do t’i duhet të zhvendosë më shumë trupa për të zmbrapsur forcat e Kievit atje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi se trupat e vendit të tij kishin marrë kontrollin e plotë të Sudzhës, qyteti më i madh rus që bie në duart e forcave të Ukrainës që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar më shumë se një jave më parë.
Top Channel