Sabotazh në Gjermani, autoritetet në alarm: Mos përdorni ujin e rubinetit

16/08/2024 16:38

Autoritetet gjermane janë vënë në alarm në mesin e dyshimeve për sabotim në ujësjellësin e qarkut Euskirchen.

Banorët e zonës janë njoftuar të mos e përdorin ujin e pijshëm si zakonisht. Ekipet zjarrfikëse janë duke lëvizur nëpër zonat e prekura për t`i njoftuar nga afër banorët të mos e përdorin për momentin ujin e rubinetit për të pirë, për të bërë dush apo për përgatitjen e ushqimit. Uji lejohet të përdoret vetëm për tualetet.

Më i cenuar duket të jetë qyteti Mechernich, ku persona të panjohur kanë pasur qasje në sistemin e ujit të pijshëm. Në një njoftim për shtyp të zyrës së bashkisë së qytetit, thuhet, se një gardh në territorin e sistemit të ujit të pijshëm, është prerë. Vetë cisterna e ujit është e paprekur, por paralajmërimi për mospërdorimin e ujit të pijshëm është dhënë gjithsesi si masë kujdesi. Ndërkohë, pritet rezultati i analizave të kampioneve të marra.

Në Gjermani është ngritur një shtab krize për këtë rast, teksa zyrtarët pohojnë se do të duhen e pakta ditë për të pasur siguri për gjendjen. Nga rezervat e ujit në zonën e prekur furnizohen qytete si Mechernich përfshirë këtu edhe kazermën e ushtrisë gjermane, Strempt, Roggendorf e të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA