Ekskluzive/ Rudi Vata: Demalia frikacak! Regjimi vrau Arben Brocin pasi ika unë, ky thotë që sistemi kishte rënë…

16/08/2024 19:01

Rudi Vata replikon sërish me Ilir Demalian. Debati në distancë që nisi pas publikimit të librit “Jeta ime! Futbolli, Liria dhe Parajsa” nga ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, vazhdon në lidhje me vërtetësinë e disa prej fakteve dhe ngjarjeve që ish-futbollisti i Sëlltik Gllazgou pasqyron në librin autobiografik.

Vata thotë ekskluzivisht për Top Channel se Demalia i harron, ose bën sikur i harron disa të vërteta të pakundërshtueshme. “Demalia paska thënë se do të vijë në Skoci për gjyqin… Këtë lloj presioni e bënin zakonisht frikacakët dikur që thoshin “prit se vij aty edhe ta tregoj unë. Harron ky që unë këtë lloj kërcënimi me blof e kam lënë pas krahëve që kur isha në konvikt me Shkëndijën dhe “haja” qymyrin e fushës së nxënësve”, thotë ndër të tjera Rudi Vata.

JA REAGIMI I PLOTË I TIJ:

“Së pari ky zotëria thotë se unë kam ngatërruar fjalën “ilegal” me “privat” dhe gjoja unë nuk e kam të qartë definicionin. Jo mor jo, nuk është kështu. Unë them se e kam mësuar italishten në mënyrë ILEGALE dikur nga viti 1978 kur isha 9 vjeç. Në atë periudhë nuk njihej fare koncepti privat. Atëherë nuk kishe as pronë private, as makinë private, as bagëti private, as shkollë private. Madje edhe gjuhën e huaj e mësoje në shtet. Ata që e kanë jetuar atë kohë e dinë mirë se çfarë po them. Dhe më vjen keq që Demalia përmend termin “privat” kur nuk ekzistonte “privatja”. Imagjinoni pak se çfarë ndodhte nëse merrej vesh që familja ime paguante një prift që kishte bërë 22 vite burg të na mësonte gjuhë të huaj..!!! Pra unë nuk e ngatërroj, sepse duhet t’i vlerësojmë gjërat sipas kohës. Atëherë në gjykimin tim privatja ishte baraz me ilegale. Edhe puna ishte në shtet ose ku të caktonte shteti. Nuk kishte të vetëpunësuar. Si do shpjegohej që prifti paguhej 50 lekë në orë për të më mësuar mua dhe vëllait tim italisht?!

Së dyti, më thotë më 1991 regjimi kishte rënë. Jo zotëri, regjimi në mars të vitit 1991 NUK kishte rënë ende. Vetëm pak ditë më vonë, më 2 prill të vitit 1991 u bë një nga demonstratat më të fuqishme në Shkodër dhe u vranë katër djem të rinj, mes tyre edhe Arben Broci, shok me vëllain tim. Kur kishte rënë regjimi, pse bëheshin demonstrata dhe kush i vrau ata bij nënash? Dakord, regjimi ishte në grahmat e fundit, por ku ta dinim ne që vendosëm të largoheshim nga atdheu se sa do të zgjaste? Nuk mund ta parashikonim dhe vendosëm të iknim. Ika pasi luajta me kombëtaren, i bëra minutat në fushë dhe vendosa të ikja për një jetë më të mirë. A është e tepruar tani të quash arratisje atë veprim? Ndoshta është ekzagjeruar, por ne e vlerësojmë tani kështu, sepse atëherë ne kështu e quanim, përderisa kërkonim azil politik.

Së treti, më thotë që prej burrnisë po ma eviton një përgjigje pa etikë. Or zotëri, a e di ku jam rritur unë apo jo? Në cilat lagje dhe çfarë kam hequr? Po ta lë mënjanë etikën dhe të flas edhe unë me gjuhën e rrugës, nuk më kthen dot më kurrë përgjigje. Por unë e kam lënë pas atë kohë, dhe atë Rudi Vata që kam qenë kur isha para 33 vitesh. Vendosa të bëhem një qytetar që shoqëria e pranon dhe e vlerëson. Shumica prej nesh kanë pasur në dorë të bëhen gangster dhe futbollistë. Përfshi edhe unë. Por unë vendosa të bëhem futbollist dhe të shkoj deri në Japoni për të qenë ky që jam sot.

Për të thënë të vërtetën ku Demalia nuk më duket njeri i keq dhe as negativ. Jo vetëm sepse më pëlqejnë ata që kanë një pasion të madh për futbollin sa ç’ka edhe ky zotëria, por edhe sepse edhe ai ka vendosur të iki dhe të bëjë një ndryshim rrënjësor në jetën e tij. Mirëpo më duket sikur disa gjëra i ka ende të parealizuara dhe ta pandryshuara.

Ngre pyetjen nëse unë ndihem i persekutuar? Shiko zotëri, unë nuk kam thënë që jam i persekutuar, por nuk mund të mohohet se kur isha 18 vjeç dhe po përgatitesha të shkoja me Vllazninë në Finlandë më 1987 për të luajtur kundër Rovaniemit, më zbritën nga autobusi në Tiranë dhe më thanë “Ti nuk vjen me ne se nuk do partia”. E bënë këtë sepse më akuzonin nga sistemi se unë po përpiqesha të arratisesha. E di gjithë Shkodra këtë punë dhe e keni gjallë Astrit Hafizin, trajnerin e Vllaznisë. Pyeteni, a zbritën Rudi Vatën nga autobusi në Tiranë më 1987? A e zbritën Faslli Fakjen në Shkodër? Më lanë aty dhe isha vetëm 18 vjeç. Janë emocione që i kam përjetuar unë, jo Demalia… Më pas, kur e panë që unë po shkoja te Dinamo, komiteti i partisë në Shkodër, me njerëzit nëpër Shkodër, arritën të bënin disa letra anonime dhe bënë një dosje të madhe duke e akuzuar babain tim si agjent i UDB. Kjo, ngaqë babai im ishte martuar me vajzën e Jelenës, e cila ishte me origjinë Jugosllave. Një marrëzi nga ato të asaj kohe. Madje kishin bërë dosje edhe për mua. Ma ka treguar Met Spahiu pas viteve 1990. Por kjo është tjetër temë. Unë dua t’i përmbahem vetëm asaj që kam thënë në libër.

Së katërti, Demalia thotë që a ka emër prifti dhe pse unë nuk ia përmend. Po zotëri, prifti ka emër dhe unë i kam përmendur atij në librin tim. Nuk e përmend enkas që ti ta lexosh në libër dhe të kuptosh që kam thënë të vërtetën, sipas këndvështrimit tim natyrisht. Ah, edhe diçka për priftin që më ka mësuar mua italisht. Po ju them se ai ishte një bekim në jetën time. Ai më ka bekuar mua. Unë mendoj se ishte një shenjë e Zotit që një prift katolik i cili kishte studiuar në Vatikan më mësoi italishten. Çfarë ndodhi? Investimi i priftit dhe bekimi i tij më çoi mua të bëhesha pjesë e Sëlltikut të Gllazgout, një klub i cili është themeluar nga një prift katolik irlandez dhe klubi vetë përfaqësonte katolikët e Skocisë. Unë u bëra kështu pjesë e derbit më të egër për dekada të tëra që ishte ai mes Sëlltik Gllazgout dhe Gllazgou Rejnxhërs.

Mendoj se këtë e arrita se Zoti e kishte shkruar, por edhe unë punën e kam bërë mirë që të arrija deri aty. Kështu që i pëlqej, apo nuk i pëlqej këtij tifozit të Tiranës që i përçmon lojtarët e Dinamos, unë po i them se kam marrë pjesë në derbin më të rëndësishëm të njerëzimit: katolikët kundër protestantëve. Sëlltiku që përfaqëson katolikët e diskriminuar të Skocisë kundër protestantëve që janë njerëzit e favorizuar nga Mbreti dhe Mbretëresha”.

Lexo edhe: “Në ‘91 isha armik i vendit tim, nuk lejohej të mësoje gjuhë të huaja”, Demaliaj i përgjigjet Rudi Vatës: Je qesharak, italishtja e frëngjishtja mësoheshin në shkollë

Ekskluzive/ Rudi Vata i përgjigjet Demalisë: Çfarë burri je ti që më thua rrenacak? A ke familje, a ke fëmijë? Unë mësova italisht ilegalisht nga një prift, kur unë u arratisa në ’91 ti… Do të të padis

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata e kërcënoi me gjyq, replikon Ilir Demalia: Gënjeshtar! Ti nuk je Skënder Halili dhe as Qemal Vogli. Gati të vij në Skoci dhe…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA