Talebanët festuan të mërkurën përvjetorin e tretë të kthimit të tyre në pushtet.
Nën qiellin blu dhe diellin flakërues në Bagram, dikur qendra e luftës së Amerikës për të rrëzuar talebanët dhe për të gjuajtur autorët e al-Kaidës të sulmeve të 11 shtatorit, anëtarët e kabinetit taleban lavdëruan arritjet si forcimi i ligjit islamik dhe krijimi i një sistemi ushtarak që ofron “paqe dhe siguri”.
Fjalimet kishin për qëllim një audiencë ndërkombëtare, duke i kërkuar diasporës që të kthehej dhe që Perëndimi të ndërvepronte dhe të bashkëpunonte me pushtetarët e vendit, por dekada me radhë në konflikt dhe paqëndrueshmëri kanë lënë miliona afganë në prag të urisë. Papunësia është e lartë.
Parada e Bagramit ishte më madhështorja dhe më sfiduesja e talebanëve që nga rifitimi i kontrollit të vendit në gusht 2021. Audienca prej rreth 10,000 burrash përfshinte zyrtarë të lartë talebanë, ndërsa gratë, ashtu si në vitet e tjera u ndaluan të marrin pjesë. Në paradë u ekspozuan disa nga pajisjet ushtarake të braktisura nga forcat e udhëhequra nga SHBA dhe NATO pas dekadash lufte. Ushtarët me uniformë marshuan me mitralozë të lehtë dhe të rëndë dhe një formacion motoçikletash mbante flamurin e talebanëve.
Agjencitë e ndihmës paralajmërojnë se përpjekjet humanitare në vend janë të pafinancuara, pasi kolapsi ekonomik dhe ndryshimet klimatike po shkatërrojnë mjetet e jetesës.
Ata thonë se afganët, veçanërisht gratë dhe vajzat , do të vuajnë nëse nuk ka më shumë angazhim diplomatik me talebanët, teksa asnjë vend nuk i njeh talebanët si qeveri legjitime të Afganistanit.
Top Channel