Greqia ka regjistruar 4 vdekje të reja nga Virusi i Nilit Perëndimor duke e çuar në 10 numrin e personave që kanë humbur jetën këtë vit nga ndërlikimet e infektimit të këtij virusi.
Sipas raportit të fundit të Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY), nga fillimi i periudhës së përhapjes së tij deri më sot, janë diagnostikuar dhe analizuar gjithsej 76 raste, të gjitha tek shtetas grekë, prej të cilëve 57 kanë paraqitur pasoja tek sistemi nervor qendror me encefalit, meningjit ose paraliza akute flakcide dhe 19 raste të tjera , simptoma më të lehta.
Vetëm javën e fundit u diagnostikuan 21 raste të reja tek qytetarët grekë dhe 2 tek persona të ardhur nga jashtë Greqisë. Mosha mesatare e pacientëve me pasoja më të rënda është 75 vjeç,ndërsa të infektuarit janë nga 4 deri në 92 vjeç.
Rastet e infektimeve me virusin në fjalë janë regjistruar në Njësitë Rajonale në Larisa, Kardhitsa, Lefkadha, Halkidhiki, Pella, Serres, Kilkis, Imathia, Ahaia, Thesprotia, sektori jugor i Athinës, Rodopi dhe periferia e Selanikut.
Për momentin në spitale po trajtohen 15 persona, mes të cilëve 7 në Repartin e Kujdesit Intensiv dhe autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa mbrojtëse individuale ndaj mushkonjave.
Siç theksojnë specialistët për çdo rast të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor me sulm në Sistemin Nervor Qendror, janë afërsisht 140 persona të infektuar me simptoma të lehta ose asimptomatikë dhe këtë vit janë regjistruar më shumë raste në vend se në vitet e mëparshme.
Vuris i Nilit Perëndimor i zhdukur për disa vjet u rishfaq në vitin 2017 jo vetëm në Greqi , por edhe në disa vende europiane si Italia , Franca, Qipro apo Rumania.
Top Channel