Një gjykatë në Bangladesh ka hapur një hetim për vrasje ndaj ish-kryeministres Sheikh Hasina dhe gjashtë figurave kryesore në administratën e saj lidhur me vrasjen e një protestuesi nga policia, gjatë trazirave civile të muajit të kaluar.
Gjykata kryesore në kryeqytetin Daka, pranoi çështjen pasi një qytetar ngriti një padi ligjore për vrasjen e protestuesit gjatë tubimit të studentëve në korrik. Sipas padisë, ish-kryeministrja kishte bërë thirrje për veprime të forta kundër protestuesve dhe kishte urdhëruar policinë të qëllonte me armë.
Qeveria e Hasina akuzohet për abuzime me të drejtat e njeriut, duke përfshirë vrasjet pa gjyq të mijëra kundërshtarëve të saj politikë.
Ish-kryeministrja 76-vjeçare u largua helikopter në Indinë fqinje më 5 gusht, duke i dhënë fund pushtetit të saj 15 vjeçar pasi mijëra protestues anti-qeveritarë sulmuan rezidencën e saj zyrtare. Ekonomisti fitues i çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus u betua javën e kaluar si kreu i qeverisë së përkohshme të Bangladeshit përpara zgjedhjeve.
Top Channel