Një hetim ndërkombëtar ka nisur prej disa javësh mbi trafikimin e dyshuar të mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Sekretariati i Konventës së Bazelit ka ngritur alarmin dhe ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare.
Drejtoria Antitrafik në Doganën Shqiptare po punon ngushtësisht me OLAF-in (Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit) për të çuar përpara këtë hetim të rëndësishëm.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se është identifikuar një ngarkesë e dyshimtë me 100 kontejnerë e cila është nisur nga Porti i Durrësit me dy anije në fillim të muajit korrik dhe ka bërë transhipment në portet e Triestes dhe Pireut, duke u ngarkuar në të tjera anije transoqeanike për të vijuar drejt porteve të tjera me destinacion përfundimtar Tajlandën.
Ngarkesa dyshohet të jetë pluhur nga furrat elektrike të riciklimit, një mbetje kjo e rrezikshme që përmban okside metalike toksike, si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Lajmi për këtë trafikim të mbetjeve toksike u bë publik nga Bloomberg Neës dhe mediat aziatike, të cilat ngritën shqetësimin e Rrjetit të Aksionit të Bazelit, një organizatë e njohur mjedisore ndërkombëtare.
Ndërkohë burime nga struktura që po heton çështjen në vendin tonë bënë me dije për TCH se po hetohet jo vetëm mbi subjektin eksportues dhe veprimtarinë e tij, por dhe për ata që kanë përgjegjësi në dhënien e autorizimit për eksportet.
Hetimi është ende në proces dhe burime të përfshira në të shprehen se ka zhvillime pozitive, por që ende nuk mund të bëhen publike, pasi mund të cenojnë mbarëvajtjen e hetimit, ndërsa anijet janë ende në lundrim.
Javën e ardhshme pritet që anijet Maersk Candor dhe Maersk Campton të arrijnë në Singapor dhe prej aty ngarkesat të lundrojnë drejt Tajlandës si destinacion përfundimtar i ngarkesës së dyshuar me mbi 800 ton mbetje toksike.
Top Channel