Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest shtëpie dy infermieret të cilat akuzohen se tentuan të fshihnin vrasjen e ndodhur në azilin e të moshuarve pak ditë më parë.
Ndërkohë, Gjykata dha vendim për masë mjekësore shtrim i përkohshëm në spitalin psikiatrik për autorin, Zyhdi Shehi.
Nazime Mulla dhe Glesantina Saraç, infermiere dhe kryeinfermiere në azilin ku u vra i moshuari, Virxhil Vesho, u arrestuan pasi e raportuan ngjarjen si aksidentale.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se të dyja ato, pasi i moshuari mbeti i vdekur nga goditjet me shkopin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, e kanë nxjerrë trupin dhe kanë pastruar gjakun, e më pas kanë njoftuar një agjenci funerale.
Ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por shenja të tjera dhune.
Top Channel