Hapet për herë të parë pas 32 vjetësh porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos.
Ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamjet nga hapja e tunelit nënujor të Porto Palermos, ndërsa shkruan se ky është hapi i parë i një projekti të Ministrisë së Mbrojtjes për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
“Mirmëngjes, dhe me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos, nis projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik, ku do të ndërthuret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetëzimin e kalasë së famshme të Ali Pashës, ju uroj të diel të bukur”, shkruan Rama.
Tuneli shërbente si një bazë autonome për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, brenda gadishullit të Porto Palermos. Hapja e portës prej çeliku e këtij tuneli ujor të veshur me betonarme ka vënë për herë të parë në lëvizje pas shumë kohësh mekanizmin e saj.
Ndërtimi i këtij tuneli nisi në 1969 dhe zgjati deri në vitin 1988. Ai shërbente për strehimin dhe kalimin e sigurt të mjeteve detare të marinës ushtarake të kohës, duke shërbyer njëkohësisht si një bazë e fuqishme dhe e mbrojtur.
Top Channel