Korriku i këtij viti ishte i dyti më i nxehtë në histori, dhe rezulton vetëm pak më i freskët se i njëjti muaj i vitit 2023, sipas një raporti të publikuar nga monitoruesi i klimës i Bashkimit Europian, Copernicus.
Këtë korrik, temperatura mesatare globale ishte 16,91 gradë Celsius, apo 0,04 gradë më e ulët se temperatura mesatare në korrik të vitit 2023, që konsiderohet muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Deri në qershor, temperaturat mesatare mujore kishin thyer rekorde çdo muaj që nga maji i vitit që shkoi.
“Seria e muajve që thyejnë rekorde u ndërpre, por vetëm për pak”, thotë zëvendësdrejtoresha e Shërbimit për Ndryshimet Klimatike, Copernicus, Samantha Burgess.
“Efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike kanë filluar shumë përpara vitit 2023 dhe do të vazhdojnë deri sa emetimet globale të gazrave serrë të arrijnë në zero”, shtoi ajo.
Të dhënat e Copernicus tregojnë se për periudhën nga gushti i vitit 2023 deri në korrik të 2024-tës, temperatura mesatare globale ishte 1.64 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale.
Sipas raportit, termometri shënoi mbi mesataren në Europën Jugore dhe Lindore, dhe pranë ose nën mesataren në Europën veriperëndimore.
Shërbimi klimatik Copernicus publikon rregullisht të dhëna për temperaturën e sipërfaqes së Tokës, shtresën e akullit në det dhe reshjet, të gjitha ato të bazuara në analiza kompjuterike që përfshijnë matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë globin.
Top Channel