Politikani socialist, Salvador Illa, është betuar të shtunën si president i Qeverisë rajonale të Katalonjës, në një ceremoni të mbajtur në pallatin qeveritar në Barcelonë.
“Duke marrë pozitën sot, jam duke trashëguar shpresat e popullit të Katalonjës”, ka thënë 61-vjeçari, i cili ka bërë emër si ministër spanjoll i Shëndetësisë, gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.
Ceremonia e inaugurimit është mbajtur vetëm dy ditë pasi lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont – ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim – e ka mbajtur një fjalim në qendër të Barcelonës.
Ai, më pas, ka ikur, pavarësisht prezencës së madhe policore.
Të premten, Puigdemont ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se është kthyer sërish në Belgjikë, ku ka jetuar prej ikjes fillestare, më 2017.
Në nisje të ceremonisë së inaugurimit, Illa ka pasur qëndrim të butë ndaj paraardhësve të tij separatistë.
“Nuk kam dyshim që të gjithë presidentët paraprakë kanë ardhur në këtë zyrë me qëllimet më të mira, për ta bërë Katalonjën një shtet më të mirë”, ka thënë ai, duke përfshirë edhe Puigdemontin.
Ndonëse Partia Socialiste e Illas i ka fituar zgjedhjet në maj, ajo duhet të ketë mbështetjen e partisë, E majta republikane e Katalonjës, dhe, Aleancës Comuns, për të qeverisur.
Të enjten, 68 prej 135 anëtarëve të Parlamentit rajonal në Barcelonë kanë votuar në të mirë të Illas.
Mediat spanjolle e kanë konsideruar fitoren e tij si fillim të ri për rajonin, i cili është tronditur prej mosmarrëveshjeve në kërkesën për pavarësi, që gati 10 vjet.
Megjithatë, Illa pritet ta ketë të vështirë që të qetësojë situatën dhe të përputhë politikën e Spanjës me kërkesën e Katalonjës për pavarësi.
Ndonëse është shpallur një amnisti për separatistët katalonas, vendimi nuk ka vlejtur për Puigdemontin, pasi ai përballet me akuza për pasurim personal.
Illa i ka bërë thirrje gjyqësorit spanjoll që vendimi për amnisti të vlejë edhe për Puigdemontin, “shpejt dhe pa asnjë arsyetim”/ REL
Top Channel