Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku i bëhet thirrje Izraelit dhe Hamasit t`i rikthehen tryezës së negociatave për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Të tre vendet, nga sa pohohet në deklaratë, kanë krijuar një ujdi “kornizë”, të cilës i nevojiten vetëm “ detajet e zbatimit për t`u konsideruar e mbyllur”.
Por ndër shteti hebre e pohoi se do të nisë ekipin e tij negociator për bisedimet e propozuara të mbahen në 15 gusht në Doha ose Kajro, nga Hamasi me plagën e hapur të vrasjes së liderit të tij, Ismail Hanijeh, nuk ka ende një përgjigje.
Kjo nismë e re diplomatike shihet si përpjekje për të frenuar daljen e tensioneve rajonale jashtë kontrollit pas vrasjes së Haniyeh javën e kaluar. Duke fajësuar për këtë Izraelin, Irani është zotuar të kundërpërgjigjet, pavarësisht se izraelitet vetë nuk kanë komentuar drejtpërdrejt për vrasjen. Marrëveshja e propozuar e armëpushimit përfshin lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë, rritjen e dërgesave me ndihmë humanitare dhe është parashikuar të zbatohet me faza.
Diskutimet e fundit kanë në fokus kornizën e paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të majit, që tha se është propozuar nga Izraeli. Njoftimi për bisedimet u bë pasi Hamasi emëroi Yahya Sinwarin – arkitektin e dyshuar të sulmit të 7 tetorit – në postin e liderit të ri, duke nxitur frikë se negociatat mund të bëhen edhe më të vështira.
Top Channel