Para oficerëve të policisë, Klementin Islamaj, i cili shtyu të atin nga shkallët e si pasojë ai gjeti vdekjen, ka deklaruar se nuk donte ta vriste, por ta largonte nga vetja.
Për ngjarjen, ai ka rrëfyer se kur është kthyer në shtëpi, ka gjetur të ëmën të masakruar për vdekje me sëpatë në mes të shtëpisë, ndërsa ka shtuar se i ati e ka dhunuar edhe herë të tjera.
“Nuk kisha qëllim ta vrisja babanë, e shtyva por u pengua. Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar.
Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafe me disa shokë.
Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja”, është shprehur ai.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen.
Top Channel