Saranda “magnet” për turistët! Pushues nga e gjithë bota, kryebashkiaku Çaçi: 20% rritje në krahasim me një vit më parë

06/08/2024 12:40

Të cilësuara si perlat e turizmit, Saranda dhe Ksamili mbeten ndër destinacionet e preferuara në bregdetin jugor të vendit për turistë nga e gjithë bota.

Sezoni i nisur që në muajin mars në Sarandë është tashmë në kulmin e tij. Plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgimia e pasur kulturore tërheqin vëmendjen e turistëve, që gjatë këtij sezoni shenojnë një rritje me 20 %, krahasuar me një vit më parë. Kryebashkiaku Oltion Çaçi tregon se si ka ndryshuar harta e turistëve që këtë vit kanë zgjedhur Sarandën.

“Në Sarandë dhe Ksamil turistët janë shumë individual. Një fenomen ka ndodhur këtë vit që harta e turizmit ka ndryshuar dhe kjo e bën më të qëndrueshëm turizmin në Sarandë dhe Ksamil sepse nuk kemi më një klientelë të caktuar të vendeve të caktuara. tashmë harta është nga të gjitha vendet e Europës por dhe përtej Europës. Kemi turistë nga Kanadaja nga Amerika nga Australia. Nuk jemi të varur nga një shtet I caktuar, është turizëm i qëndrueshëm sepse është I varur nga të gjitha shtetet. Italianët dihet që i fillojnë pushimet në fillim të gushtit dhe mbarojnë në fillim të shtatorit, kështu që po të dalësh tani është plot me italianë. Po të marrim të gjitha të dhënat statistikore nga hyrjet në port dhe pikën kufitare na dalin 20 përqind më shumë turistë këtë vit sesa vitin e kaluar”, tha kryebashkiaku.

Autoritetet i kanë kushtuar vëmendje investimeve në infrastrukturë, dhe tashmë 90% e rrugëve në Ksamil janë të asfaltuara. Kryebashkiaku Çaçi thekson se puna është ndërprerë në kulmin e sezonit, për tu dhënë mundësi turistëve të pushojnë të qetë.

“Bashkia Sarandë këtë vit ka bërë një investim kolosal jo vetëm në Sarandë por  edhe në qytezën e Ksamilit. Më shumë shprehet tek investimet e infrastrukturës. Ksamilin e kemi mbuluar pothuajse 90%, të gjithë rrugët e Ksamilit janë pothuajse te asfaltuara. Një pjesë e investimeve fillojnë në tetor sërish sepse jemi të detyruar të ruajmë momentin e pikut të sezonit, për tu dhënë mundësi bizneseve të krijojnë të ardhura”, tha Çaçi.

Turistët përtej Adriatikut kanë mbetur besnikë të Sarandës edhe këtë vit. Ksamili është i mbushur me turistë italianë, kryesisht të rinj, që i alternojnë ditët e tyre të pushimit mes plazheve që të lënë pa frymë, parkut të Butrintit, Kalasë së Lëkursit, syrit të kaltër dhe jetës së natës që kulmon në Sarandë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA