Media Britanike, “Daily Express” i bën jehonë turizimit në Shqipërisë, sipas këtij artikulli Shqipëria është një perlë e bukur e fshehur në Europë që duhet të vizitohet me patjetër.
Ndërsa turistët britanikë përgatiten për të nisur pushimet verore, eksperti i udhëtimeve Taib Dzemidzic – ka rekomanduar destinacionin e fshehur evropian – Shqipërinë – për një përvojë të paharrueshme.
Sipas raportit të tendencave të udhëtimeve 2024 të “Flash Pack” – drejtuesit e paketave kanë raportuar një rënie të turizmit në vendet e njohura si Mikonos dhe Santorini.
Britanikët po zgjedhin gjithnjë e më shumë një eksperiencë më të paprekur dhe autentike, duke shkëmbyer ishujt e Mesdheut dhe ato grekë me destinacione si Shqipëria.
“Peizazhet natyrore të Shqipërisë, nga Riviera deri në Alpet e thyera shqiptare, mbeten kryesisht të pacënuara”, tha eksperti i udhëtimeve, Taib Dzemidzic.
“Trashëgimia e saj kulturore është e pasur dhe e larmishme, ku shfaqen rrënoja të lashta, arkitektura osmane dhe fshatra tradicionale që ofrojnë një vështrim unik në të kaluarën”, shtoi ai.
Vizitorët mund të zbulojnë Rivierën Shqiptare, të notojnë në ujërat blu mahnitëse, të ecin nëpër parqet kombëtare dhe të vizitojnë muzetë dhe vendet kulturore. Nëse po mendoni të udhëtoni vetëm, Shqipëria duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve!
Destinacioni mesdhetar është shtëpia e disa prej vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke përfshirë qytetin antik të Butrintit dhe qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës.
Në këtë artikull shkruhet se është e sigurt që çdo pushues do të ndjehet mirë në Shqipëri, sepse ne dimë si ti presim miqtë.
“Ngrohtësia dhe mikpritja e popullit shqiptar i bëjnë vizitorët të ndihen të mirëpritur dhe të sigurt”, thotë eksperti i udhëtimeve.
Top Channel