I akuzuari Leonard Duka nuk ka pranuar që të japë asnjë shpjegim, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, gjatë seancës së Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Leonard Dukën, tri ditë pasi u ekstradua nga Belgjika.
Kreu i klanit ‘Duka’, ra në pranga një vit më parë, në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.
Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Së bashku me gjashtë persona të tjerë, ata akuzohen si autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, ish polici Santiago Malko, krahu i djathtë i “bosit” të lojhërave të fatit, Ervis Martinaj.
Gjithashtu, Duka në bashkëpunim me persona të tjerë, ka planifikuar disa herë vrasjen e Ervis Martinajt dhe gjithashtu dyshohet si autor i vrasjes së Erigers Mihasit apo anëtarëve të tjerë të grupit të Martinajt.
Top Channel