Vazhdon rritja e numrit të vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës, e cila arrin sërish një rekord për periudhën 1 korrik-31 korrik 2024.
Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhur duke u rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Rritja e muajit që lamë pas llogaritet në 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë.
Turistët dhe vizitorët, thonë se e zgjedhin ta vizitojnë kalanë e “qytetit të gurtë” për vetë historinë dhe veçantinë që mbart.
Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Me vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.
Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme. Gjirokastra është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit.
Top Channel