Kardinali amerikan Sean O’Malley, i njohur për përkrahjen e të mbijetuarve të abuzimit seksual dhe nxitjen e reformave në kishën katolike, ka dhënë dorëheqjen si Kryepeshkop i Bostonit, njoftoi Vatikani të hënën.
Tetëdhjetë vjeçari do të zëvendësohet nga Richard Henning, Peshkopi 59-vjeçar i Providencës, për të drejtuar dioqezën e katërt më të madhe në Shtetet e Bashkuara, tha Vatikani në një deklaratë.
Sipas njoftimit Papa Françesku e ka pranuar dorëheqjen e zotit O’Malley, por nuk është dhënë arsyeja për largimin e tij.
Në Kishën Katolike, peshkopët që drejtojnë një dioqezë zakonisht dalin në pension kur mbushin 75 vjeç, por Papa ka mundësi t’u kërkojë atyre të qëndrojnë më gjatë.
Për momentin, Peshkopi O’Malley mbetet kreu i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, një organ i krijuar nga Papa Françesku për të luftuar pedofilinë nga priftërinjtë. Peshkopi e ka udhëhequr këtë Komision nga viti 2014.
Dorëheqja e Peshkopit O’Malley i jep fund një kapitulli prej dy dekadash të udhëheqjes së katolikëve në Boston, qytetin ku dominojnë komunitetet italiane dhe irlandeze. Skandali global mbi abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët shpërtheu në Boston në vitin 2002, një vit përpara se ai të dërgohej me detyrë.
Aleati i Papa Françeskut, Peshkopi O’Malley është pjesë e urdhrit françeskan, ‘Friars Minor Capuchin’. Ai i kaloi vitet e tij të hershme si prift duke krijuar marrëdhënie miqësore me komunitetin emigrant hispanik në dioqezën e Uashingtonit.
Përpara se të mbërrinte në Boston, Peshkopi O’Malley shërbeu si peshkop i Saint Thomas-it, një dioqezë që mbulonte të gjithë Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara dhe më vonë të Fall River-it, në Masaçusets, në Bostonin jugor.
Në Fall River dhe dioqezën e Palm Beach-it, në Florida, ai u mor me pasojat e skandaleve që përfshinin abuzimin seksual të të miturve nga priftërinjtë.
Megjithatë ai u bë i njohur në Boston, duke menaxhuar atë që në atë kohë ishte skandali më i madh i abuzimit seksual nga klerikët në Shtetet e Bashkuara, i përshkruar më vonë edhe në filmin, “Spotlight” që fitoi çmimin Oskar.
I njohur për raportin e tij me viktimat dhe shpejtësinë në zgjidhjen e çështjeve, nën mbikëqyrjen e Peshkopit O’Malley, kryepeshkopata ra dakord të paguante 85 milionë dollarë për të zgjidhur rreth 550 padi nga viktimat./VOA
Top Channel