Nënpresidentja Kamala Harris pritet të njoftojë së shpejti emrin e kandidatit të saj për nënpresident për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Personi që ajo do të përzgedhë, pritet të marrë pjesë me të në një tubim elektoral të martën në Pensilvani. Ndërkohë ish-presidenti Donald Trump shfrytëzoi mediat sociale për të këmbëngulur mbi nevojën e ndryshimit të vendit dhe datës së debatit të ardhshëm presidencial.
Kandidatja e demokratëve për presidente Kamala Harris pritet të njoftojë kandidatin e saj për nënpresident, i cili pritet t’i bashkohet asaj në fushatë të martën. Kandidatët kryesorë janë Guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro, Guvernatori i Minesotës Tim Walz dhe senatori i Arizonës Mark Kelly.
Profesori i shkencave politike në Universitetin Duke, Jon Green tha për Zërin e Amerikës se përzgjedhja e kandidatit për nënpresident, si një nga vendimet e para të zonjës Harris si kandidate për presidente, pritet të krijojë përshtypjet e para tek votuesit amerikanë mbi aftësitë e saj vendimmarrëse.
“Vendimi i saj do të jetë një sinjal mbi përparësitë dhe qasjen e saj ndaj qeverisjes, në rast se ajo nuk do të ishte në gjendje të kryente funksionet e Presidentes së vendit”, tha ai në një intervistë me Skype për Zërin e Amerikës
Zonja Harris ka në plan të vizitojë disa shtete vendimtare me kandidatin e saj për nënpresident, duke filluar me një tubim elektoral të martën në Pensilvani. Drejtuesit e fushatës së zotit Trump pritet gjithashtu të shpenzojnë kohë dhe energji në shtetet që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit.
“Në zgjedhjet e këtij viti, Pensilvania, Viskonsin, Miçigani dhe Arizona konsiderohen si shtete relativisht të mëdha dhe konkurruese”, thotë analisti Josh Green.
Ndërsa elektorati pret shpalljen e kandidatit të demokratëve për nënpresident, ka filluar të rritet interesi edhe mbi debatin mes zonjës Harris dhe ish Presidentit Trump. Kandidati i republikanëve për president thotë se tani që Presidenti Biden është tërhequr nga gara për president, debati i planifikuar për në 10 shtator në kanalin ABC duhet të zëvendësohet me një debat në Fox News në Pensilvani në fillim të shtatorit, me praninë e një audience.
Të shtunën, zoti Trump tha përmes një postimi në platformën e tij Truth Social lidhur me debatin me zonjën Harris se “do ta shoh atë më 4 shtator ose nuk do të ketë debat.”
Fushata e zonjës Harris ka këmbëngulur në respektimin e planit fillestar mbi debatin.
“Donald, shpresoj të më takosh në skenën e debatit, sepse sipas shprehjes së njohur, nëse ke diçka për të thënë, është më mirë të ma thuash në fytyrë”, tha ajo.
Mbetet të shihet nëse zonja Harris dhe zoti Trump do të takohen ballë për ballë, por ish Presidenti Trump do të ketë një mundësi të re për të kritikuar zonjën Harris dhe kandidatin e saj për nënpresident në një tubim elektoral në Bozeman të Montanës më 9 gusht.
Top Channel