Protesta antiqeveritare në Bangladesh, mbi 50 të vdekur

04/08/2024 17:14

Së paku 50 njerëz kanë vdekur në Bangladesh gjatë përleshjeve të ashpra mes policisë dhe protestuesve antiqeveritarë të dielën, sipas zyrtarëve dhe mediave vendëse.

Trazirat filluan kur liderët e studentëve thirrën protesta për të kërkuar dorëheqjen e kryeministres së vendit, Sheikh Hasina.

Gazeta e përditshme e vendit, Prothom Alo, raportoi se së paku 49 njerëz vdiqën në dhunën e së dielës. Kanali 24 raportoi për së paku 50 të vdekur.

Kryeministrja Hasina ka thënë se ata të cilët janë përfshirë në “sabotim” dhe në shkatërrimin e vendit në emër të protestuesve “nuk janë më studentë, por kriminelë”.

Partia në pushtet Awami League tha se kërkesa për dorëheqjen e Hasinas tregon se protestat janë marrë në kontroll nga partia kryesore opozitare e Bangladeshit, Partia Nacionaliste, dhe partia e ndaluar, Jamaat-e-Islami.

Të dielën, Qeveria njoftoi pushim në gjithë vendin nga e hëna deri të mërkurën. Gjykatat do të mbesin të mbyllura për kohë të papërcaktuar. Shërbimet e internetit mobil u ndalën të dielën, derisa Facebook dhe aplikacionet për dërgimin e mesazheve, përfshirë WhatsApp, janë të paqasshme.

Ministri për Informacion dhe Transmetim i Bangladeshit, Mohammad Ali Arafat, tha të dielën se interneti mobil u ndalua për të ndihmuar në parandalimin e dhunës.

Si përgjigje për protestat, autoritetet i mbyllën shkollat dhe universitetet në gjithë vendin, si dhe shpallën orë policore. Së paku 11.000 njerëz janë arrestuar në javët e fundit.

Protestat filluan muajin e kaluar kur studentët kërkuan të hiqet një kuotë, sipas të cilës, 30 për qind të punëve qeveritare u takonin familjeve të veteranëve që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi kundër Pakistanit më 1971.

Pas përshkallëzimit të dhunës, Gjykata Supreme e vendit e uli kuotën në vetëm 5 për qind, por protestat kanë vazhduar duke kërkuar llogaridhënie për dhunën, për të cilën demonstruesit e fajësojnë Qeverinë, duke e akuzuar për përdorimin e forcës së tepruar.

Protestat janë bërë sfidë e madhe për Hasinan, e cila është lidere e Bangladeshit për 15 vjet. Në janar, ajo e fitoi mandatin e katër radhazi në zgjedhje që u bojkotuan nga kundërshtarët e saj kryesorë./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA