Mbi 100 persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pas përshkallëzimit të protestave të së djathtës ekstreme të shtunën.
Trazira kishte në Hull, Liverpul, Bristol, Mançester, Stok, Bllekpul dhe Belfast, ndërsa janë djegur vetura, plaçkitur dyqane e po ashtu janë sulmuar policët në disa vende.
Protesta më të vogla pati edhe në disa qytete tjera, por nuk përshkallëzuan në dhunë.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, u ka ofruar forcave policore mbështetjen e plotë të qeverisë për të marrë masa kundër ekstremistëve.
Tensionet janë rritur pas vrasjes së tri vajzave të vogla në një kurs vallëzimi në Sauthport të hënën e kaluar. Në Liverpul janë hedhur gurë, shishe e fishekzjarrë në drejtim të policëve. Një zyrtar policor është goditur në kokë me një karrige.
Disa qindra protestues anti-fashistë u mblodhën në afërsi të stacionit të Liverpulit, duke kërkuar për unitet dhe tolerancë, ndërsa mbizotëronin thirrjet se “refugjatët janë të mirëpritur këtu”. Ata bënin thirrje që “llumi nazist të largohet nga rrugët”.
Ata marshuan për t’u konfrontuar me rreth një mijë protestues anti-emigracion, disa prej të cilëve bënin thirrje islamofobe. Policia e kishte të vështirë të mbante kontrollin dhe u thirrën përforcime për të mbajtur rendin.
Trazirat vazhduan deri në orët e hershme të së dielës, ndërsa 53 policë janë lënduar gjatë konfrontimeve dhe dy prej tyre janë dërguar në spital. Protesta tjera janë paralajmëruar për sot.
Top Channel