Britania e Madhe në gatishmëri, priten protesta të dhunshme nga grupet e ekstremit të djathtë

03/08/2024 15:29

Britania ndodhet në gatishmërinë më të lartë në prag të 15 deri 35 protestave të pritshme nga grupet ekstremiste të krahut të djathtë gjatë kësaj fundjave, ndërkohë që policia ka publikuar  imazhet e personave të dyshuar, që kërkon t’i arrestoj nga trazirat e ditëve të mëparshme.

Mbrëmjen e së premtes, dhuna shpërtheu në rrugët e qytetit verilindor të Sunderland-it, ku turma kryesisht të rinjsh të irrituar kanë sulmuar policinë, duke i vënë zjarrin makinave të tyre madje i vunë zjarrin edhe stacionit të policisë. Ndërkohë janë bërë tetë arrestime.

Në një akt tjetër dhune të frikshme, një grup i madh protestuesish sulmuan një makine taksi të kompanisë Uber në kohën kur shoferi ishte ende brenda makinës ç’ka e detyruan atë të ikte nga sytë këmbët dhe protestuesit më pas i vunë zjarrin taksisë, pasi e kishin kthyer atë përmbys.

Sakaq protestuesit të maskuar kanë sulmuar edhe dyqanet dhe kane plaçkitur çka ndodhej brenda tyre. 53 policë janë plagosur nga tullat e hedhura në drejtim të forcave policore dhe disa makina janë djegur gjatë disa orëve te kaosit dhe trazirave. Protesta të tjera janë zhvilluar edhe në Londër, ku ka pasur 100 persona të arrestuar.

Protestat e grupeve të ekstremit të djathtë, të ditëve të fundit, janë nxitur nga lajmet e pavërteta, ku pretendohej se një adoleshent që kishte vrarë me thikë tre vajza të vogla, kishte qenë një azilkërkues mysliman.

Besohet se ekstremistët e djathtë, po përdorin TikTok-un, mesazhet në Telegram për të organizuar protestat e kësaj fundjave në Liverpul, Sunderland, Mançester, Hull, Lids, Southport dhe Bristol.

Një plan kundër trazirave është hartuar nga “Home Office” të premten në mbrëmje ku 70 prokurorë  janë të gatshëm për paditjen e shkelësve të ligjit në vendngjarje.

Ministrja e re e Punëve të Brendshme, Yvette Cooper, tha se protestuesit nuk përfaqësojnë Britaninë dhe policia ka mbështetjen e plotë të qeverisë për ndërmarrjen e masave më të fuqishme që shkelësit e ligjit të ndeshen me forcën e plotë të ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA