Armë në tavolinë buke/ Trafik drejt Britanisë së Madhe, tre të kërkuarit e tjerë jetojnë në Angli

03/08/2024 15:08

Ata porosisnin tavolina druri të gdhendura bukur, kolltukë deri edhe çifteli. Por në të vërtetë brenda tyre ishin fshehur armë që transportoheshin nga Shqipëria drejt Anglisë ku dhe priteshin nga tre shtetas shqiptarë ende në kërkim dhe që dyshohen se kryesojnë aktivitet të paligjshëm.

Hetimi përmbi një-vjeçar i SPAK ka zbuluar se si  të arrestuarit në Shqipëri i kishin detyrat të ndara. Avdulla Hoxhaj nga Tropoja në banesën e të cilit u gjetën armë të tjera dyshohet se bashkëpunonte me Bojken Turtullin i cili ishte transportuesi i armëve drejt Britanisë së Madhe dhe që ishte i angazhuar pranë një kompanie transporti në Tiranë

I treti është Rifat Avdiaj, që është i angazhuar në një mobileri të hapur në zonën e Paskuqanit, një punishte që ofron mobilie shtëpie, por që e kishte përsosur edhe me një teknikë tjetër, atë të fshehjes së armëve e municioneve që dyshohet se nuk gjurmoheshin.

Hetimi ishte hapur në 2023 , menjëherë mbas arrestimit të një shtetasi shqiptar i cili po kryente transportin e armëve të fshehura në mobilie shtëpie ku dhe u zbuluan tetë pistoleta dhe fishekë të shumtë.

Një tjetër u identifikua në vazhdim si transportues, por si i pandehur përfundoi vetëm ky i fundit mbasi për shoferin çështja u pushua mbasi nuk ka të dhëna që e implikojnë

Ekspertët zbuluan se si trafikantët i kishin fshirë numrat e serisë së pistoletave në mënyrë që të mos identifikoheshin, ndërkohë që edhe praktika dokumentare rezultonte false përfshi emrat e porositësve por edhe dorëzuesve

Prokurori i çështjes Adnan Xholi gjatë masave me dyer të mbyllura i tha gjykatës se bazuar në prova është I bindur që gjendet përballë një grupi, ku tre anëtarë të tij që jetojnë jashtë vendit vazhdojnë të jenë në kërkim.

Nga kontrollet e fundit janë bllokuar gjithashtu 24 pistoleta, një kallashnikov, pjesë ë ndryshme armësh 49 karikatorë, deri helmet e forcave speciale dhe veshje ushtarake. Hetimi i bazuar në përgjime dhe vëzhgime tregon veprimet konkrete edhe të të kërkuarve, ndërkohë që asnjë nga tre të prangosurit nuk ka pranuar të bashkëpunojë deri në këto momente

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA