Theu masën e sigurisë dhe udhëtoi nga Prishtina drejt Londrës/ Kush e njoftoi ish-shefin e AMP për vendimet e gjykatës?

02/08/2024 18:49

Dy ditë më parë, Gjykata e Durrësit vendosi paraprakisht masat e sigurisë për 6 të akuzuarit e AMP-së.

Gjykata ka caktuar arrest me burg për Kushtrim Selimin dhe Metin Voglin nga Shijaku.

Ndërkohë dyshohet se dikush e ka njoftuar Selimin paraprakisht për zhvillimet që do e çonin në pranga dhe ka arritur të largohet për në Kosovë. Me këtë veprim Kushtrim Selimi ka thyer edhe masën e sigurisë për çështjen e parë për të cilën është nën hetim, krijimi i portalit që denigronte drejtuesit e Policisë së Shtetit sipas gazetares së Top Channel, Vali Qyrfyçi.

Ai kishte masë mos largim jashtë territorit të Shqipërisë, por e ka thyer atë pasi në datën 29 korrik ka udhëtuar nga Prishtina për në Londër.

Pasi është informuar se do të dilte një masë sigurie “arrest me burg” për të dhe për Metin Vogli, ish-shefi i AMP-së ka nxituar t’i shpëtojë prangave.

Disa muaj më parë është referuar nga komisariati i policisë Durrës se ka bërë një ndërtim pa leje në bregdetin e Kallmit, një nga zonat më të bukura pranë qytetit të Durrësit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nga hetimet e para rezultonte se ndërtimi ishte bërë nga një shijakas, por nga këqyrja e telefonit të Reginës rezultoi se e kishte Kushtrim Selimi dhe se deklarimet e shtetasit nga Shijaku dyshohet të jenë të rreme.

Burimet bëjnë të ditur se është hetuar dhe provuar me deklarime dhe video e sms tek telefoni i Regina Omerit, se ndërtimi pa leje i përket Selimit.

Edhe Vogli ka mundur t’i shpëtojë prangave pasi në kohën kur është ushtruar kontroll në banesën e tij nuk është gjetur në banesë. Nuk dihet nëse edhe ai është sinjalizuar paraprakisht nga Selimi për t’u larguar dhe shpëtuar përballjes me grupin hetimor.

Ai akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës duke dashur të marrë përsipër ndërtimin pa leje dhe shpëtuar nga hetimet oficerin e policisë që për herë të dytë brenda këtij viti është shpallur në kërkim.

Pas dorëzimit në polici në fund të qershorit, ai u la i lirë, por me detyrim paraqitjeje dhe mos largim jashtë vendit.

Masat ndaj 7 personave:

Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

➡️ Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit Metin Vogli, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.

➡️ Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases Regina Omeri, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Edmond Plaku me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.

➡️Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Skënder Sakaj me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Karafili me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

➡️ Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë Ardian Jonuzi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA