Rusia të mërkurën njoftoi se kishte nisur fazën e tretë të stërvitjeve për përdorimin e armëve bërthamore taktike, ku përfshiheshin forcat e përfshira në konfliktin në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes tha se stërvitjet po zhvilloheshin në rrethet ushtarake qendrore dhe jugore, që përfshin disa republika të Kaukazit të Veriut dhe Krimenë e aneksuar, si dhe katër rajone të Ukrainës jugore dhe lindore që Rusia pretendon se i ka aneksuar pavarësisht se nuk i kontrollon plotësisht.
Kjo fazë e stërvitjeve përfshin trajnimin mbi sistemet raketore Iskander-M dhe avionë të ndryshëm, tha ministria ruse e mbrojtjes, sipas AFP.
Personeli ushtarak që do të marrë pjesë do të stërvitet për marrjen e “municioneve speciale” dhe për pajisjen e sistemeve raketore dhe avionëve.
Presidenti Vladimir Putin në fillim të majit urdhëroi organizimin e këtyre stërvitjeve pjesërisht, sipas Kremlinit, në përgjigje të kërcënimeve të perceptuara nga vendet perëndimore, veçanërisht pasi Presidenti francez Emmanuel Macron hapi mundësinë e dërgimit të trupave franceze në Ukrainë.
Top Channel