Teksa sot mblidhet KLP me dy çështje të rëndësishme, njëra të pezullojë nga detyra kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, dhe tjetra të plotësojë SPAK-un me 20 prokurorë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, mëson nga burimet e saj se pranë KLP, kandidati që ishte renditur fitues kërkon pezullim të mbledhjes.

Çështja për të cilën prokurori Ndini Tavani ngre shqetësimin që lidhet me vendimin e Komisionit të ngritur pranë SPAK, që e nxori nga gara dhe kualifikoi një tjetër prokuror, Bledar Maksutin.

Në kërkesën e dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ndini Tavani, shprehet se ka kërkuar anulimin e mbledhjes sepse nuk di ende arsyen pse nuk është zgjedhur nga SPAK, pavarësisht se ishte kandidati i tretë.

“Sot, në datë 30.07.2024, disa media on line publikuan lajmin se, unë, si kandidat i renditur i treti në garën për tri vende vakante në Prokurorinë e Posaçme, jam skualifikuar dhe se kandidati tjetër i renditur pas meje, është propozuar të emërohet si prokuror i kësaj prokurorie.

Në një farë mënyre, Ju më kthyet përgjigje për tri kërkesat e paraqitura më herët nga unë, në rrugë zyrtare, për tu njohur me ecurinë e këtij procesi, tashmë i tejzgjatur, në kapërcim të limiteve të caktuara me ligj (120 ditë). Nga ana tjetër, kundrejt meje, si subjekt drejtpërdrejtë i interesuar, dëmi është më i madh se thjesht mos informim, sepse ai konsiston në cenimin flagrant të të drejtave themelore, të mbrojtura e të garantuara nga shteti i së drejtës. 

Në padijeni të plotë se si vijoi procesi, pas mbledhjes së dhjetorit të KLP-së, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, mbetet të supozoj se vlerësimi im i figurës nga Komisioni i Posaçëm nuk ka qenë pozitiv, apo thënë ndryshe ka qenë negativ.  Ju, që keni aktet e këtij procesi e kuptoni se si kandidat as jam njoftuar përgjatë procesit të vlerësimit të figurës dhe as jam pyetur mbi ndonjë gjetje, aq më pak as më është dhënë mundësia të paraqes qëndrimin tim apo provat eventuale, që mund t’i shërbenin Komisionit të nderuar”, thuhet në kërkesë.

Tre kandidatët për prokurorë në SPAK ishin Olsi Dado, Anita Jello dhe Ndini Tavani, ndërsa i katërti Bledar Maksuti.

Komision i Posaçëm, i cili ka kontrolluar nëse plotësohen kriteret e tyre, ka zgjedhur Anita Jellon dhe Bledar Maksutin për prokurorë të SPAK, ndërsa Olsi Dado ka kaluar automatikisht në Prokurorinë e Posaçme.

Sot KLP mblidhet për Anita Jellon dhe Bledar Maksutin. Ndini Tavani këtë vendim e ka kundërshtuar, ndaj kërkon anulim të mbledhjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA