Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, të cilat u miratuan me 106 vota pro në seancën e kaluar plenare.
Sipas Presidentit, ky ligj është fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor. Kreu i Shtetit konsideron zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri votën e emigrantëve, që për herë të parë do kenë të drejtën e votës në 2025.
“Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi.
Debati rreth përmbajtjes së dispozitave të veçanta të këtij ligji u ndoq me vëmendje nga Presidenti i Republikës. Ligji u shqyrtua edhe në këndvështrim të këtij debati. Presidenti i Republikës konstaton se kritikat ndaj mekanizimit ligjor të votimit parapëlqyes nisen nga qëllimi legjitim për të demokratizuar më shumë këtë mekanizëm.
Ekzistenca e dy formave alternative që rregullojnë prurjen në parlament, (prurja për shkak të renditjes në listë dhe prurja për shkak të votës parapëlqyese), është përcaktuar në pikën 3 të nenit 64 të Kushtetutës. Dispozita e këtij neni ka kaluar provën e kushtetutshmërisë me vendimin nr. 28 të vitit 2021 të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka vënë re cenim të barazisë përpara ligjit për këtë shkak”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumë emërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta.
Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve“, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Top Channel