Në episodin e radhës të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, projekt i qendrës FOL i mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane në Tiranë, tema e diskutimit ishte “Amanet me testament”.
Mbas dhjetëra proceseve në gjykata, për herë të parë në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë për të zgjidhur problemin e lënies së testamentit, duke urdhëruar Kuvendin që të përfshijë në ligj gruan apo bashkëjetuesen.
Të dyja ishin të pambrojtura nga dispozita e shfuqizuar tanimë si antikushtetuese dhe që i jepte të drejtë testatorit që të linte trashëgimtarë vetëm fëmijët dhe ata që kishte në linjë gjaku. Kuvendi ka kohë deri në 7 shkurt 2025 për të zgjidhur detyrat e gjykatës kushtetuese.
Në një intervistë me Anila Hoxhën, avokat Alban Duraj thotë se falsifikimet janë problemi më i madh.
Anila Hoxha: Në çfarë pike është hetimi dhe përse është kaq e vështirë që të zbulohet një dokument i falsifikuar ?
Alban Duraj: Mendoj që kjo është çështje vullneti sesa çështje vështirësie, përsa i përket zgjidhjes së këtij kazusi.
Anila Hoxha: Por, avokat shkresat tregojnë se një nga personat që është denoncuar ka ndërruar jetë , që është pjesë e kësaj skene dhe me këtë argument prokuroria ngre duart dhe thotë që nuk mund të hetojmë sepse i dyshuari ka ndërruar jetë. Ju thoni me këtë se ndërkohë duhet të hetoheshin edhe noterët të cilët ishin pjesë dhe firmosën një dokument ku personi që ishte pjesë e trashëgimisë nuk ka qenë i pranishëm ?
Alban Duraj: Jo, vetëm noteri. Por, kjo mendoj që është edhe një përgjegjësi përsa i përket administratorit të shoqërisë, i cili është pjesë në këtë bashkëpunim mes noterit dhe personit që ka ndërruar jetë. Ata të cilët e kanë kryer këtë vepër penale mbajnë përgjegjësi. Sepse aty është e zeza mbi të bardhë që kemi të bëjmë me trashëgimtarë të rregullt ligjorë, të cilët e kanë të regjistruar emrin e tyre në certifikatën e pronësisë. Ndërkohë që prokuroria merr për bazë një dokument, i cili nuk ka gjeneralitetet e të ndjerës, e cila pretendohet që ka hequr dorë nga prona dhe natyrisht që merr për bazë dhe një prokurë e cila nuk ekziston fare.
Anila Hoxha: Pse duhet të besojmë këtë version dhe nuk duhet të besojmë tjetër gjë, sikurse ka ndodhur në dhjetëra raste kur shumë gra kanë hequr dorë nga e drejta e trashëgimisë dhe ky mund të jetë pikërisht ai rast. Ky një grua , e ndjera në këtë rast, ka vendosur të heq dorë nga e drejta e trashëgimisë ?
Alban Duraj: Rastet ekzistojnë. Por, fakti që nuk kemi një dokument të saktë nga ana ligjore, e para. E dyta, nëse kjo do ishte bërë nga ana e të ndjerës, atëherë do e kishte njoftuar palën që unë përfaqësoj se ajo jetonte me atë. Dua të theksoj , faktin që të dhënat e personit apo të së ndjerës e cila presupozohet që ka hequr dorë nga prona nuk janë të dhënat e saj. Kemi emrin e saj, por nuk e kemi mbiemrin e saj. Të dhënat e datëlindjes i kemi të gabuara. Kemi shumë elementë të cilët e bëjnë të pavlefshëm këtë akt. Është përpiluar nga noteri , natyrisht që noteri ka përgjegjësi për aktet të cilat ai i përpilon. Nuk mund të përpiloj një akt pa të dhënat e personit i cili e lëshon këtë akt me gabime të tilla.
Anila Hoxha: Avokat, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët në momentin që çelet një dëshmi trashëgimie nga njëra anë dhe e dyta kur ata janë personat që lënë një testament? Sepse po shikojmë në gjykatë prej disa vitesh, trashëgimtarë që kundërshtojnë dëshmitë e trashëgimisë.
Alban Duraj: Problemi kryesor është tek noterët. Ata janë garant i të gjithë veprimeve proceduriale, noteriale si përsa i përket hartimit të një testamenti dhe nga ana tjetër me ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Civile , ata kanë të drejtë që të bëjnë edhe çeljen e dëshmisë së trashëgimisë.
Anila Hoxha: Pse kundërshtohet ky dokument në gjykatë?
Alban Duraj: Ky dokument kundërshtohet për shumë arsye. Pra, ne kemi parë për shumë raste kur noterët që mendoj se është gabim kryekëput i noterëve sepse ata janë garant i respektimit të ligjit. Pra, nëse do vijmë tek një testament, noteri duhet të garantohet njëherë përsa i përket aftësisë mendore apo psiqike të personit, i cili lëshon këtë testament.
Anila Hoxha: Noterët nuk e bëjnë siç duhet detyrën , duke firmosur dokumente, të cilët nuk përfaqësojnë vullnetin e dikujt i cili nuk është në gjendje për të përpiluar një dokument?
Alban Duraj: Ne kemi raste kur edhe firmën se ka lënë ai testatori, pra mund ta ketë bërë një nga fëmijët , ka lëshuar firmën. Pra, kemi raste gjyqësore të tilla . Kemi raste kur ai mund të ketë qenë i paaftë nga ana mendore apo nga ana psikologjike por thjesht noteri nuk e ka marrë atë raportin që e detyron ligji lidhur me anën psiqike. Natyrisht, përveç raportit është edhe kuptimi praktik që duhet të bëj noteri. Në momentin që i merr firmën duhet t’a pyesi , duhet të diskutojë me testatorin, pra ka shumë forma për të cilat noterin e detyron ligji por që nuk e bën. Kemi raste të tilla me qindra në gjykatë kur janë hedhur poshtë apo janë shpallur të pavlefshme nga ana e gjykatës.
Anila Hoxha: Cili është rasti më i rëndë që ju keni në mbrojtje, aktualisht?
Alban Duraj: Rasti më i rëndë është lidhur me një kontratë dhurimi në formën e testamentit, e cila është lëshuar nga një person, i cili është i paaftë nga ana mendore dhe ia ka dhuruar vëllait të vet. Dhe ne aktualisht jemi në gjykatën e apelit për të cilën presim të zhvillohet seanca gjyqësore.
Anila Hoxha: Pse dyshoni që nuk e vërtetë kjo kontratë? Vëllai për vëllain.
Alban Duraj: Nuk e ka zotësinë juridike për të vepruar. Pra, ne e kemi të provuar.
Anila Hoxha: Kush e kundërshton këtë gjë?
Alban Duraj: E kundërshton djali.
Anila Hoxha: Sa i takon çeljes së trashëgimisë. Natyrisht që me aktet ligjore në fuqi që nga 2013 e në vazhdim, kjo çështje zgjidhet para noterit. Cila është pika më e dobët e kësaj hallke në këndvështrimin tuaj?
Alban Duraj: Edhe këtu noterët shpeshherë gabojnë për shkaqe të përfitimit , qoftë të përfitimit ekonomik apo përfitimit që mund të kenë me palët.
Anila Hoxha: Faleminderit.
Top Channel