Biblioteka e Elbasanit e mbushur me libra të dhuruar, ndër ta një emigrant, e pasuroi me enciklopedinë e re greke

27/07/2024 16:56

Biblioteka publike e qytetit të Elbasanit është një vepër bamirëse e dhuruar nga Nazif Baholli, në emër të djalit të tij, Qemal Baholli, emrin e të cilit mban institucioni i librit që hapi dyert në vitin 1935.

Tradita siç nisi edhe vijoi. Biblioteka e Elbasanit sot numëron 200.000 vëllime librash dhe periodikësh, shumica prej të cilëve të dhuruara.

Manjola Hatellari, drejtoreshë e Bibliotekës Publike, Qemal Baholli tha: “Biblioteka e Elbasanit, që në fillimet e krijimit të saj e deri më sot, posedon në fondin e saj rreth 200.000 vëllime librash dhe periodikësh. Që në vitin e parë të krijimit ka qenë traditë dhurimi i librave bibliotekës nga shumë familje intelektuale elbasanase si dhe oborri mbretëror i dhuroi bibliotekës 1000 libra.
Gjithashtu ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri i dhuruan bibliotekës libra. Të gjitha këto akte janë të pasqyruara në shtypin e kohës, pra në vitet ’35.”

Por tradita nuk u zhduk edhe kur duket sikur librit ju zbeh shkëlqimi. Si punonjësja më e vjetër e bibliotekës Znj. Hatellari ndan kujtimin më të bukur kur një djalë emigrant, i cili nuk pranoi të bëhej publik, i dhuroi bibliotekës enciklopedinë e re greke.

“Një gjë që ka mbetur në kujtesën time, në atë kohë punoja në shërbim dhe vjen një djalë i ri me një kuti në duar. Më tha: ‘Jam nga Elbasani, jam emigrant në Greqi, kam studiuar në sallën e kësaj biblioteke dhe sapo doli enciklopedia e re greke vendosa ta marr të gjithë kolonën dhe t’ja dhuroj bibliotekës së qytetit tim’. Ai djalë mbeti anonim, të paktën me mua. Më ka mbetur në mendje ajo ditë kur ky i ri më la në dorë enciklopedinë e re greke. Ishte surprizë për ne, por shërben edhe si mesazh për të gjithë të rinjtë dhe dashamirësit e librit”, tha Hatellari.

Biblioteka “Qemal Baholli” radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit. Pas vitit 1945, fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e balkanologjike, pronë e Lef Nosit. Janë pikërisht histori të tilla, të shkuara e të tashme, që i kanë dhënë Elbasanit emrin qyteti i kulturës dhe arsimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA