“Shqipëria, një vend me fshatra magjepsës”, media gjermane: Nga Alpet në Butrint, në një javë mund të eksploroni të gjitha pikat turistike

24/07/2024 13:23

“Shqipëria po lulëzon dhe numri i turistëve në vend po rritet me shpejtësi. Ne vizituam vendin ballkanik dhe zbuluam fshatra të vegjël magjepsës e një ndjenjë autentike për jetën”, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen gjermane “Blick”.

Vizita në Shqipëri kërkon një ndjenjë aventure e pikërisht kjo është arsyeja pse një udhëtim rrugor është e vetmja mënyrë për të depërtuar në vendin ballkanik. Na u desh pak më shumë se një javë për të eksploruar pikat turistike në jug të vendit: Liqenin mistik të Ohrit, Parkun Kombëtar të pyllëzuar të Llogorasë, zonën arkeologjike të Butrintit dhe vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit.

Vendet kryesore të Tiranës

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana është plot ngjyra. Kaloni disa ditë në të. Kushdo që viziton kryeqytetin shqiptar duhet të shijojë edhe kulturën e kafenesë e pub-it, e cila ka një traditë të gjatë në Shqipëri. Tirana karakterizohet nga jeta e gjallë e natës në zonën e ish-Bllokut, ku dikur jetonin politikanët komunistë. Gjithashtu, në qytet po krijohen gjithnjë e më shumë restorante kreative.

Shumë sundimtarë gjatë shekujve

Shqipëria ofron një ndërthurje të kulturës dhe historisë. Falë vendndodhjes së saj në qendër të Ballkanit, rajoni pati shumë sundues gjatë shekujve: grekët e lashtë, romakët, bizantinët dhe për rreth 500 vjet, osmanët turq. Të gjithë ndihmuan në formësimin e vendit e këta të fundit lanë gjurmë jo vetëm në arkitekturë dhe kuzhinë, por edhe në besim. Veçanërisht Berati, me shtëpitë e tij osmane dhe rrugët e ngushta të shtruara me guralecë të Lumit Osum është një perlë.

Infrastruktura turistike

Si i gjithë vendi, Berati është në një udhëkryq. Shumë njerëz po lëvizin nga shtëpitë shekullore në qytetin e ri, i cili ka formuar një unazë rreth bërthamës së vjetër. Biznesmenët po investojnë në ndërtesat historike dhe po i shndërrojnë ato në hotele, restorante e dyqane. Pas pak vitesh, qytetet e vjetra do të bëhen parqe historike siç ka ndodhur tashmë në shumicën e vendeve turistike rreth Mesdheut. Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është tani!

Butrinti

Butrinti ndodhet në jug të vendit dhe u shpall një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992. Ju mund të shihni tempuj, rrugë, teatro e kisha që nga periudha e grekëve të lashtë, romakëve, të krishterëve të hershëm dhe osmanëve. Mos e humbisni një vizitë në Muzeun Arkeologjik, ku mund të eksploroni gjetjet më të mira në gadishull.

Gjirokastra

Gjirokastra ndryshe quhet edhe “Qyteti i Gurtë”. Shtëpitë në qytetin malor me rreth 20 mijë banorë janë ndërtuar nga guri gri vendas, me të cilët janë mbuluar edhe çatitë. Në qytetin e vjetër ndodhen rreth 600 ndërtesa të periudhës osmane (shek. XV- XIX). Kjo është arsyeja pse Gjirokastra u bë gjithashtu një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005. Po ashtu, mund të vizitoni disa nga shtëpitë e dekoruara në mënyrë madhështore, siç është “Shtëpia e Zekatëve”, e cila ngrihet mbi qytetin e vjetër apo xhamitë.

Alpet Shqiptare

Malet në veri të vendit njihen edhe si Alpet Shqiptare. Majat e tyre arrijnë më pak se 3000 metra, malet me luginat e tyre të gjelbërta dhe pyjet e dendura janë një perlë e vërtetë. Rrëqebullët, ujqërit dhe arinjtë kalojnë fshehurazi nëpër shkurre e shqiponjat qarkullojnë rreth majave. Përveç ecjes, mund të bëni edhe rafting.

Bukuri origjinale

Ne u kthyem në qytetin e Himarës pas perëndimit të diellit, kur njerëzit ishin duke shëtitur përgjatë mini-shëtitores. Himara ka një bukuri origjinale që nuk do ta gjeni në shumë destinacione pushimesh. Nga qyteti i Himarës, afërsisht në mes të detit Jon, një shteg i zhvilluar ecjeje përshkon rrugën në veri drejt gjireve të ndryshëm shkëmborë.

Riviera Shqiptare

Shqipëria krenohet me plazhet fantastike, ushqimin e thjeshtë por shumë të shijshëm dhe natyrën ende të pacënuar. Plazhet në jug në detin Jon, e ashtuquajtura Riviera Shqiptare, janë më të bukur se ato në veri. Një nga plazhet më të bukur është Plazhi i Gjipesë, i cili mund të arrihet vetëm në këmbë ose me automjet fuoristradë. Ia vlen të ecësh gjysmë ore për në plazh. Gjithashtu, vizitoni Syrin e Kaltër. Ky burim ujor është më i pasuri në vend, me ngjyra mbresëlënëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA