Drejtori i Informacionit të Top Channel, Robert Rakipllari, pjesë e panelit të Top Story ku u trajtua tema e trashëgimtarëve politikë.
Rakipllari: Rama e “vrau” Nanon. Rama e bëri. Ajo ishte atëvrasje e plotë. Pavarësisht se moralisht e rehabilitoi më vonë.
Vangjeli: Problemi ishte se PS-ja i binte të ishte e një familjeje me shumë fëmijë që kërkonin të njëjtën gjë, ndërkohë te PD-ja ishte vetëm baba që rrinte në anë të oxhakut. Nëse vazhdojmë po të njëjtin krahasim, pra nëse Nano ishte ati, biri i tij edhe Rexhep Mejdani, pavarësisht diferencës së moshës. Edhe ai tentoi ta “vriste” Nanon. Ishte edhe Ilir Meta, ishte dhe Pandeli Majko. Të gjithë tentuan, por askush nuk kishte gjunjët apo këllqet e Ramës për ta bërë një gjë të tillë.
Rakipllari: Rexhep Mejdani, Pandeli Majko, Ilir Meta etj. ishin pjesëtarë të Partisë Socialiste, ishin bashkëthemelues të PS-së dhe rivalë për të pretenduar pretenduar vazhdimin e Nanos. Rasti i Ramës është më specifik. Ramën e ka marrë vetë Fatos Nano dhe e ka promovuar në politikë. E ka marrë dhe e ka promovuar si ministër të Kulturës dhe më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Pra ishte i promovuari direkt i tij. Pastaj ishte po ky person, i cili shfaqi ambicien për ta marrë Partinë Socialiste dhe bëri atëvrasjen. Shumë e thjeshtë. Këta të tjerët edhe hezituan, kurse Rama e bëri direkt. Është e qartë.
Vangjeli: Ndjesë për fjalën, por të jep vërtet një ndjenjë neverie ajo që e kemi dëgjuar të përsëritet kaq shpesh: ‘E mora unë, e solla. Vendosa unë që ai të vinte, unë e bëra’. Çfarë do me thënë kjo? E mori nga rruga? Të pranosh një gjë të tillë dhe ta konsiderosh si epërsi, kur në fakt kjo është e metë, është ves. Rrëfen të gjithë vesin e këtyre etërve, të cilët vendosin të marrin, të sjellin, të çojnë, të bëjnë. Këtu gjejmë shpjegim të shumë pikëpyetjeve si jemi kështu ne, rrokopujë edhe shkojmë rrokapjekthi.
Rakipllari: Rama nuk bëri ndonjë karrierë në Partinë Socialiste. Ai erdhi dhe u fut.
Vangjeli: Gjithë Shqipëria varet nga vullneti i 3-4 njerëzve, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër, te të gjithë këta që tërheqin, që sjellin, që natyrisht nuk e bëjnë nga dashuria, e bëjnë nga interesi i momentit, tentojnë të klonojnë secilin prej atyre që vijnë. Secili tenton t’i ngjajë babës në këtë rast. Me përjashtim të Ramës, kishte një radhë të pafundme në Partinë Socialiste, se kush do t’i ngjante…
Rakipllari: Nano ishte një politikan liberal, i cili e solli Ramën për ta forcuar Partinë Socialiste dhe për ta bërë më elektorale dhe më atraktive. Dhe shumë mirë e bëri, sepse Rama ishte direkt një politikan që mori Bashkinë e Tiranës pasi e qeverisnin të djathtët pas shumë kohësh.
Vangjeli: Të njëjtën gjë tentoi të bënte dhe Doktori me Bashën.
Rakipllari: Dhe ai pati sukses në 2005-ën.
Duma: Por me një ndryshim të madh. Në rast se Doktori e njihte mirë le të themi profilin psikologjik, vazhdimësinë dhe mënyrat e të sjellit në ekzekutiv të Bashës…
Rakipllari: Doktori luajti me riskun zero, ndërsa Nano luajti me risk të lartë.
Duma: Rama lexohej edhe nga jashtë, që ishte një personazh atipik. Dhe këtu bëhet diferencë mes Nanos dhe Berishës në mënyrën se si kanë dashur të rezonojnë partitë e veta.
Rakipllari: E para Nano dha dorëheqjen njëherë. Humbi zgjedhjet dhe iku. Është i vetmi që e ka bërë këtë gjë.
Vangjeli: Kushedi sa është penduar Nano, i cili mendonte atëherë që ky personazhi atipik do të hynte në morsën tipike socialiste, do të relativizohej…
Duma: Në morsën tipike hyri vonë. Ai vazhdoi të ishte atipik.
Vangjeli: Dhe kur pa, se në Shqipëri ka vetëm një gjë që është e përjetshme, të qenurit i përkohshëm.
Rakipllari: Po ndryshimi i Nanos është që Nano iku. Nano e la dhe iku vërtet. Këtu është çështja.
Top Channel