Ekzistenca e një Qytetërimi 8000 vjeçar në anë të liqenit të Ohrit që tanimë është konfirmuar vazhdon të pasurohet edhe me gjetje të reja arkeologjike.
Pas zbulimeve të vitit të kaluar të vendbanimit Palafit të Linit, i cili është më i vjetri në Evropë, gërmimet e këtij viti nga ekipi shqiptaro-zviceran, të cilat janë përqendruar në tokë në afërsi të fshatit Buqezë të Pogradecit kanë nxjerrë në dritë elemente të rinj.
Enët e përdorura, veglat e strallit e kockës apo edhe pjesë të përdorura për ndërtimin e banesave dëshmojnë ekzistencën e vendbanimit në një periudhë të hershme të neolitit të mesëm duke dhënë edhe datime të sakta sipas arkeologovë.
“Ne duam të zbulojmë si jetonin njerëzit përreth liqenit këtu. Vendbanimi është 8000 vjeçar pra 6000 vite para Krishtit dhe mund të konfirmojmë tani që kemi 2000 vjet aktivitet vendbanimi këtu në Lin.
Kjo tipologji sitesh arkeologjike për zonën e Alpeve është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO dhe janë shumë të pakta vendbanimet nënujore madje ishte i pari që u bë pjesë e listës së trashëgimisë botërore.
E njëjta gjë vlen edhe këtu me këtë zbulim ku vlen të themi se vetëm në sitet ku kemi konservimin e drurit mund të aplikohen disa teknika të dendrokronologjisë ndaj këto janë site të rralla.
Mund të konfirmojmë tashmë atë që thamë vjet për zbulimin dhe synojmë që të aplikojmë dendrokronologjinë për më shumë detaje. Vendbanimi i zbuluar është më i vjetri në Evropë sa i takon vendbanimeve në zonat liqenore pra është një zbulim i jashtëzakonshëm”.
Vit pas viti zbulimet arkeologjike në vendbanimin palafit të linit po mundësojnë perceptimin e një tabloje të qartë të mënyrës së jetesës në periudhën e neolitit kohë kur njerëzimi nisi të krijojë vendbanime të qëndrueshme në afërsi të burimeve ujore.
Top Channel