Gazetari Ilir Babaramo dhe pedagogu i gazetarisë dhe komunikimit, Zylyftar Bregu, folën në “Top Story” për çështjen e shkarkimit të kryeprokurorëve, duke e cilësuar zyrën e kryeprokurorit të “mallkuar” dhe Maks Haxhinë me fat në krahasim me pasardhësit e tij.
Babaramo: Po të shikosh të gjithë historikun e prokurorëve të përgjithshëm, ka qenë një trajektore e ekuilibrave politikë. Kush ka pasur pushtetin politik, ka pasur dhe prokurorin e përgjithshëm. Kurrë nuk ka qenë i pavarur. Dhe në momentin kur kanë tentuar të jetë i pavarur, janë shkarkuar. Pikërisht ndodhemi në këtë fazë. Kjo është e kuptueshme.
Çdo politikan kërkon që ta ketë nën kontroll drejtësinë, kërkon që të jetë qoftë në mënyrë direkte, qoftë në mënyrë indirekte. Por janë mënyrat e lojës, janë klauzolat juridike, ato që ta pamundësojnë këtë.
Në këto raste, te ne nuk kanë funksionuar, sepse janë zgjedhur njerëz që ishin jo në nivelin e duhur të atyre që emërojnë. Jemi në rastin konkret, në rastin kush emëron prokurorët. Aty është niveli më i ulët i shoqërisë shqiptare. Më e pakta që kanë është se janë militantë partie dhe dihet çfarë produkti do kenë.
Bregu: Për mua, historia e Prokurorisë Shqiptare duhet ndarë në dy etapa. Është faza ’91-2016 dhe pastaj 2016 e deri tani.
Nga viti ’91-’92 deri në vitin 2016 kishim një ligj të Prokurorisë, që ishte një organ i centralizuar. Pra gjithçka varej nga prokurori i përgjithshëm, i cili në vetvete varej nga Kuvendi. Pastaj kishim një organ të centralizuar, prandaj prokurori i përgjithshëm ishte rrufepritësja e të gjithë strukturës. Nëse do të asgjësoje, neutralizoje, të bëje për vete prokurorin e përgjithshëm, do të kishe marrë gjithë strukturën.
Në vitin 2016, Prokuroria nuk është më një organ i centralizuar, por është një organ i decentralizuar, ku secili prokuror është një prokuror i përgjithshëm dhe kërkohet më shumë imunitet, integritet etj. Fuqia ka ikur nga Prokuroria dhe ka vajtur në Gjykatë.
Ajo zyra atje duhet të ketë ndonjë mallkim dhe Maksi duhet të jetë prokurori më i fituar nga kjo histori. Sepse z. Llalla është në arrati, prokurori tjetër prapë është dëmtuar më shumë, z. Rakipi gjithashtu. Kështu që z. Haxhia, për shkak edhe si dëshmor i parë, e kanë toleruar edhe për shkak të gjithë asaj historie, që është që nga viti ’92 edhe sot.
Ai edhe vetë i merr me të qeshur dhe thotë anët pozitive të asaj gjëje. Gjithsesi është dëshmori i parë i dhunës politike për të kontrolluar organin e akuzës, si një teknikë politike. Pra politika donte ta shfrytëzonte organin e akuzës.
Top Channel