Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se ka folur me kandidatin për president të SHBA-së, Donald Trump, dhe kanë rënë dakord për një “takim personal”, për të diskutuar hapat për paqe të qëndrueshme me Rusinë.

Zelensky ka folur me Trumpin, një ditë pasi kandidati republikan e ka pranuar nominimin e Partisë Republikane dhe është zotuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, nëse fiton zgjedhjet.

“Kam biseduar me Donald Trumpin për t’ia uruar nominimin e republikanëve dhe për të dënuar atentatin tronditës ndaj tij në Pensilvani. I kam uruar forcë dhe siguri në të ardhmen”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në “X”, duke iu referuar të shtënave kundër Trumpit më 13 korrik, sa ka qenë në një tubim të fushatës.

Zelensky deklaroi se është pajtuar me Trumpin “për të diskutuar në një takim personal për hapat që duhet bërë për ta bërë paqen të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë hollësi se ku dhe kur mund të ndodhë takimi.

Trump ka thënë në platformën e vet sociale, Social Truth se ka pasur “bisedë shumë të mirë” me Zelenskyn, me të cilin kanë biseduar për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ai është zotuar për të sjellë paqe në botë dhe “për t’iu dhënë fund luftërave që u kushtojnë me jetë aq shumë njerëzve”.

“Të dyja palët do të mund të punojnë së bashku dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe i hap rrugën prosperitetit”, tha Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA